Gjendja në sektorin e shëndetësisë përplas deputetët e pozitës dhe opozitës

Kuvendi i Kosovës po diskuton mbi gjendjen në sektorin e shëndetësisë, pas një propozimi të Partisë Demokratike të Kosovës për një rezolutë përmes së cilës i kërkojnë përgjegjësi qeverisë për situatën në këtë sektor.

Diskutimi po vazhdon me kritika në mes të qeverisë dhe opozitës lidhur me situatën në shëndetësi.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka kërkuar nga qeveria që të ndajë 100 milion euro për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

“Merrni ato 271 milion euro që dje i përmenda që janë të pa-alokuara pa asnjë projekt të Ministrisë së Financave, ndani 100 milion dhe ta bëjmë fondin e sigurimeve shëndetësore. Unë këtu në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës ju premtoj që nëse i ndani 100 milion nga kontigjenca ose nga fondi për rimëkëmbjes ekonomike për Fondin për Sigurime Shëndetësore ne si LDK kemi me e votu buxhetin e Republikës së Kosovës. Ta paguajmë primin nga taksat e qytetarëve  për qytetarët për vitin e parë, të fillojmë t’i japim shërbime më të mira atyre e në vitin 2024 le të fillon pagesa e primeve”, tha Bajrami.

Ajo ka thënë se qeveria e ka shumicën dhe duhet të ndërmarrë veprime dhe jo të përsërisë deklaratat se në çfarë gjendje e ka gjetur sektorin e shëndetësisë.

“Nuk mjafton këtu që me dalë dhe me na tregu se si e keni gjetë sektorin e shëndetësisë, për 15 vite kjo ka qenë kënga që ju i keni këndu qytetarëve të Republikës së Kosovës se sa i shkatërruar është secili sektor, dhe po harroni që më 14 shkurt të vitit të kaluar të gjitha partitë politike e kanë paguar një faturë politike, e kanë paguar faturën politike të asaj se çka kanë bërë dhe nuk kanë bërë, por edhe të propagandës suaj, të premtimeve që i keni dhënë e që as 30% të tyre nuk po i përmbushni. Kush po ju pengon juve sot me i shti hajnat në burg që ministri Latifi paska thënë që shëndetësia është kalbë në korrupsion. A nuk ka qenë slogani juaj për 15 vite ‘hajnat në burg, hajnat në burg’, krejt nivelet e pushtetit i keni”, tha Bajrami.


Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se keqpërdormi në këtë sektor si dhe mungesa e ministrit të shëndetësisë janë fyerje për profesionistët shëndetësor dhe ata që e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nëse për ju është Ok keqpërdorimi, nëse për ju është Ok mungesa e ministrit të shëndetësisë, është fyerje për ju që jeni profesionistë shëndetësor, është fyerje për të gjithë profesionistët shëndetësorë edhe Vetëvendosjen që e ka votuar, një ministër të Shëndetësisë mos me qenë në gjendje me emëru për një muaj e gjysmë, a nuk i beson ndonjërit prej juve këtu. Albin Kurti, a mundet ndonjëri prej juve me marrë përgjegjësi me thënë unë jam i gatshëm me marrë përgjegjësinë me udhëheq sektorin e shëndetësisë”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta ka thënë se janë partitë opozitare që ishin në pushet për shumë vite ndërsa sot po kritikojnë për keqmenaxhim në sektorin e shëndetësisë.

“Për që jeni të paditur flet rezoluta, shihni rezolutën kolegë të nderuar keni bërë arsyetim pse keni thirrë këtë rezolutë për shkak se është konstatuar gjendja e rëndë në shëndetësi, dhe kryeministri  përfundimisht thoni e ka kuptuar që është gjendja e rëndë në shëndetësi, e kuptoni çfarë arsyetimi keni, thua ti që Lëvizja Vetëvendosje ka menaxhuar gjithë këto vite me shëndetësi dhe e kuptoj tash që gjendja është keq në shëndetësi, po ju keni qeverisë me shëndetësi, gjithë këto vite keni qeverisë, dhe ju e dini fare mirë çfarë keni bërë me sistemin informativ shëndetësor, ju e dini fare mirë që 20 milion dhe lënda është në prokuroi, ju e dini fare mirë që janë arrestuar njerëz për këtë çështje dhe ju e dini fare mirë që e keni udhëhequr ju këtë proces”, tha ai.

Deputetit  Shkreta i është kundërpërgjigjur ai i PDK-së, Ardian Kastrati.

“Me më fol dikush që në të kaluarën është bërë korrupsion e këtij ju kanë gjete ndër tepih goxha do mijëra euro, po du me vet a i ka gjetë a hala… Edhe për doktorin respekt të jashtëzakonshëm për Haxhi Avdylin, nuk po e di kot e ka, badihava e ke o doktor fol sa të duash nuk kanë me të bë ministër ”, tha Kastrati. /G.Kadrija

Lexo edhe

Video

1 Koment

  • […] Gjendja në sektorin e shëndetësisë përplas deputetët e pozitës dhe opozitës Çitaku-Kurtit: Kosova nuk ka ministër të Shëndetësisë, kryeprokuror dhe drejtor të Policisë Tahiri: Deputetët e shumicës të bëjnë presion për emërimin e ministrit të Shëndetësisë Haxhiu: Pozita e ministrit të shëndetësisë peng i grupeve të interesit brenda partisë në pushtet Kurti ende pa emër për ministrin e Shëndetësisë, opozita thotë se ky sektor po shkon drejt kolapsit […]

Komentet janë të mbyllura.