Gjashtë pacientë me koronavirus po trajtohen me oksigjeno-terapi, njëri në gjendje të rëndë

Gjashtë pacientë me koronavirus po trajtohen me oksigjeno-terapi, njëri në gjendje të rëndë

Nga 40 pacientë sa aktualisht janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK të konfirmuar me virusin COVID-19, 6 prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi. Nga këta 6 persona, një prej tyre është në gjendje më të rëndë dhe është duke u trajtuar në kujdesin intensiv në Klinikën Infektive.

Kështu ka bërë të ditur infektologu Valbon Krasniqi, që po ashtu ka konfirmuar se gjendja e pacientëve të tjerë është stabile.

Ai ka konfirmuar se deri më tani në Klinikën Infektive nuk kanë pacientë të moshës pediatrike apo fëmijë, si dhe gra shtatzëna.

“Në këto momente në Klinikën Infektive kemi 40 pacientë të shtrirë që janë të konfirmuar me COVID-19 dhe gjendja shëndetësore e tyre e përgjithshme është e mirë, me përjashtim të 6 pacientëve të cilët vazhdojnë të kenë nevojë për oksigjenoterapi. Nga këta 6 pacientë që janë në gjendje të rëndë, njëri nga ta është në gjendje më të rëndë dhe është duke u trajtuar në kujdesin intensiv të Klinikës sonë…Edhe ky pacient është me oksigjen, nuk është i intubuar, por gjendjen e ka më të rëndë dhe monitorohet në mënyrë më të vazhdueshme, më strikte nga ana e ekipeve mjekësore”, tha ai.

Tashmë janë 3 infermierë të Klinikës Infektive që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, megjithatë Krasniqi thotë se kanë numër të mjaftueshëm të infermierëve të cilët po kujdesën për personat që po trajtohen aty.


Sa i përket gjendjes shëndetësore të këtyre infermierëve, ai tha se të tre janë në gjendje të mirë.

“Dje janë marrë strishet dhe dje kanë rezultuar pozitiv, aktualisht gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ndërkohë që, me stafin që e kemi për momentin kemi staf të mjaftueshëm, po vazhdimisht jemi në kontakt dhe marrim infermierë edhe nga Klinikat e tjera, po ashtu ka edhe vullnetar që janë paraqitur. Pra, varësisht nga nevoja ne marrim infermierë edhe nga Klinikat e tjera këtu brenda QKUK-së”, tha Krasniqi.

Infektologu Krasniqi potencoi se deri më tani si Klinikë janë mirë të furnizuar me mjete mbrojtëse për punëtorët shëndetësor.

“Ne në Klinikën Infektive qëndrojmë relativisht mirë, kemi një sasi të konsiderueshme, por po presim që në vazhdimësi të furnizohemi në mënyrë të rregullt edhe nga Ministria e Shëndetësisë…Për momentin ne qëndrojmë mirë sa i përket çështjes së trajtimit të pacientëve dhe nuk kemi ndonjë vështirësi të veçantë ose të theksuar. Përveç që si Klinikë infektologët dhe infermierët që nga muaji shkurt janë pothuajse me orar të zgjatur dhe punojnë shumë më shumë sesa zakonisht”, deklaroi ai.

Deri më tani në vendin tonë janë konfirmuar 108 raste me COVID-19./M.Duraku/

Lexo edhe

error: