Gjakova me 7 të prekur nga COVID-19, rasti i ri familjar me dy të mëhershmit

Gjakova me 7 të prekur nga COVID-19, rasti i ri familjar me dy të mëhershmit

Komuna e Gjakovës është e katërta në vend për numrin e të prekurve me virusin COVID-19. Sot është konfirmuar edhe pacienti i shtatë i cili është familjar i dy të prekurve të mëparshëm nga kjo komunë.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në një intervistë me KosovaPress deklaroi se zinxhiri i infeksionit duket se është i njëjtë, ndërsa pacienti mbrëmë është nisur nga Gjakova drejt QKUK-së në kryeqytet.

“Sot e kemi edhe një rast që po duket se është në lidhje familjare me dy rastet më përpara d.m.th. që po duket se e kemi të njëjtin zinxhir të infeksionit po shpresojmë të mos kemi raste të tjera përndryshe situata është sikurse ditë të tjera, sikurse në komuna të tjera. […] Në bazë të asaj që unë e di mbrëmë është përcjellë për QKUK prej Gjakovës nuk kam informata më tepër, Drejtoria e Shëndetësisë gjatë ditës me siguri merr informata prapë”, deklaroi Gjini.

Gjakova ka edhe dy pika kufitare me Shqipërinë dhe shumë prej shtetasve shqiptarë pjesë e veriut të Shqipërisë janë të lidhur ngushtë me këtë komunë pasi marrin shumë prej shërbimeve.


Megjithatë, kryetari i Gjakovës tha se lëvizja përtej kufijve qoftë në drejtim të Kosovë ose jashtë Kosovës është çështje që merren Qeveria dhe Ministria e Brendshme.

Ai tha se kanë zbatuar çdo vendim që është marrë nga Qeveria e Kosovës.

“Tani për dy dekada shumë vëllezër tanë prej veriut të Shqipërisë kanë marrë shërbime në Gjakovë, sidomos Tropoja, Bajram Curri, Kruma dhe kryesisht pjesa e veriut, tani ekziston protokolle që kemi të bëjmë sëmundje shumë ngjitëse siç rasti me virusin e fundit, këto çështje prape se prape i takojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë së Kosovës, jo komunave. […] Në kufi që prej rastit të parë që ka ndodhë në Kosovë personeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është atje me vendime të cilat janë ndjekë prej fillimit, gjendja kontrollohet edhe në dy pikat kufitare të cilat janë në territorin e komunës së Gjakovës”, u shpreh Gjini.

Kreu i Gjakovës u shpreh se i kënaqur edhe me respektimin e masave nga qytetarët e komunës. Ai tha se po bëjnë gjithçka është në kompetencën e tyre që të ndihmojnë në përhapjen e virusit COVID-19 duke përmendur këtu edhe dezinfektimin dhe masat e tjera tashmë të njohura.

Lexo edhe

Video

error: