Gjakova dhe Goppingen pritet të kenë bashkëpunim në aspektin kulturor dhe ekonomik

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka pritur në kabinetin e tij një delegacion nga Gjermania, në krye me kryetarin e Komunës së Goppingen, Alexander Maier.

Gjini është shprehur i lumtur që një mik si Mair është në Gjakovë, i cili është i afërt me bashkëqytetarët e vendit në Gjermani.

Ai tha se këto dy vende do të kenë mundësi të mira bashkëpunimi në fusha të ndryshme.


“Kemi një diasporë të numër, të shumë dibrante në Goppingen, është një qytet industrial shumë i zhvilluar dhe bashkatdhetarët tanë të Gjakovës por edhe gjithë Kosovës marrin pjesë në të gjitha poret e jetës atje. Po besoj që shumë shpejtë kemi me mbërri dhe me pas marrëveshje të binjakëzimit. Sot po i nisim vetëm proceset, Gjakova dhe Goppingen kanë me pas mundësi të jashtëzakonshme bashkëpunimi në fushën e kulturës, sportit, biznesit dhe po presim që diçka e tillë do të ndodhë sa shumë shpejtë”, tha ai.

Për bashkëpunimin e këtyre dy komunave foli edhe kryetari i Komunës së Goppingen, Alexander Maier.

“Jam shumë i sigurt se do të kemi shanse të mëdha për një  bashkëpunim. Goppingen dhe Gjakova janë të dyja qytete me një potencial të madh. Jam shumë i sigurt dhe mendoj se në aspektin kulturor dhe ekonomik do të kemi një shkëmbim të shkëlqyeshëm, kështu që jam shumë i lumtur dhe jemi mjaft optimistë se do të kemi një partneritet të mirë dhe ndoshta do të bëhemi qytete simotra një ditë. Më pëlqeu shumë që isha këtu dhe iu falënderoj për gjithçka, iu falënderoj për miqësinë dhe partneritetin. Le të hedhim hapa të tjerë, hapat e mëtejshëm për një të ardhme si qytete partnere dhe qytete simotra”, tha ai.

Gjini dhe Maier vizituan edhe qytetin e Gjakovës.

Lexo edhe

Video