Giresse: E rëndësishme është të luftojmë për pozitën e dytë

Giresse: E rëndësishme është të luftojmë për pozitën e dytë

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse, i është drejtuar sot mediave para ndeshjes së nesërme me Irlandën e Veriut, ndeshje kjo e vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Kombeve.

Nesër me fillim nga ora 18:00, “Dardanët” do ta zhvillojnë ndeshjen si mysafirë kundër Irlandës së Veriut, në stadiumin “Windsor Park”, përcjell KosovaPress.

Para ndeshjes, trajneri francez, Giresse e vlerësoi rëndësinë e ndeshjes së nesërme, ndërsa tha se synimi i vetëm nga kjo përballje është vetëm rezultati pozitiv.


“Nëse flasim për ndeshjen e nesërme patjetër që është një ndeshje shumë e rëndësishme për faktin se është ndeshje zyrtare, e cila vlerësohet me pikë nga UEFA. Ne, si Kosovë, kemi ardhur këtu për të tentuar për të marrë rezultat pozitiv nga kjo përballje”, tha Giresse.

Më tej, Giresse tha se vendi i parë në grup veçse i takon Greqisë, ndërsa e rëndësishme është që të luftohet për pozitën e dytë.

“E dimë që tashmë vendi i parë do të jetë për Greqinë, por për ne është shumë e rëndësishme të përfundojmë në pozitën e dytë dhe do të luftojmë për këtë gjë. Do të jetë një ndeshje e vështirë por ne jemi këtu për të fituar”, shtoi trajneri francez.

Kosova dhe Irlanda e Veriut gjenden në Grupin 2 të Ligës C, ku “Dardanët” renditen në pozitën e dytë me gjashtë pikë, krahas irlandezëve që zënë vendin e tretë me vetëm dy pikë.

Lexo edhe

Video