Gërxhaliu: Kosova “udhëhiqet” nga partitë politike me pronësi private

Gërxhaliu: Kosova “udhëhiqet” nga partitë politike me pronësi private

Kosova sikurse dhe gjithë globi po përballet me virusin korona, i cili virus ka shkaktuar telashe edhe për bizneset. Situata e ekonomisë në Kosovë shihet problematike.

Eksperti i ekonomisë, njëherit ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosova po “udhëhiqet” nga partitë politike me pronësi private.

Po ashtu ai ka thënë se në agjendat politike nuk është zgjidhja e probleme të ardhura tani edhe nga pandemia por që sipas tij qëllimi për mbulimin e të kaluarës mbi korrupsion, vjedhje e shkatërrimit ë shtetit.

Tutje ai ka thënë se Kosova për fat të keq është  goditur nga pandemia që pas vitit 99 dhe kjo pandemi quhet “Partia politike private dhe interesat e saj”.

Shkrimi i plotë i Gërxhaiut:

Nuk e besoj se edhe kundërshtarët më të mëdhenjë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës kanë mundur ta paramendojnë një ardhmëri kaq të zymtë të Republikës së Kosovës. Një realitet i cili shumë më tepër iu shkon në interes atyre se sa qytetarëve të Kosovës të cilët kanë vuajtur dhe janë sakrifkuar për një shtet dhe për ditë më të mira në Kosovën e lirë.

Jemi në kohë pandemie, një rrezik që e ka kapluar tërë botën dhe në vend që të jemi aktiv në minimizimin e pasojave nga COVID-19, sot tek ne dominon agjenda politike. Një agjendë politike që nuk e ka për qëllim zgjidhjen e problemeve por shumë më tepër mbulimin e të kaluarës së ndërtuar pas vitit 99 ku korrupsioni, vjedhja, shkatërrimi i shtetit, grabitja, shkatërrimi i arsimit, shëndetësisë dhe dëmtimi i imazhit të Kosovës mbështetur nga mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit kanë qenë si duket prioritet i institucioneve politike vendore të mbështetura edhe nga faktori ndërkombëtar i cili nuk ka qenë gjithmonë pro pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.

Sot në Kosovë është varrosur vlera ndërsa dominon dhe mbështetet antivlera. Nuk mjafton të keshë  dijeni dhe bagazh intelektual por mjafton të jesh servil, i paditur, i pakurrizor dhe të jesh në ndonjë parti politike që të jesh i avansuar dhe i shpërblyer.


Në qoftë se në vitet e 90-ta, shqiptarët me vlerë dhe intelektual kanë qenë të etiketuar nga regjimet e atëhershme si të “pa përshtatshëm” dhe kanë qenë të izoluar, politika e re kosovare vlerat i quan në të njëjtën formë por me një emërtim tjetër të “pa menaxhuar”, sepse nuk mund te jenë marioneta të krimit në funksion të politikës e në dëm të shtetit. Mjerim të cilit kemi menduar se i takon së kaluarës por për fat është më aktuale sot se kurrë më parë.

Në Kosovë luftohet për pushtet dhe interes e jo për shtet dhe për qytetarët, e kjo po dëshmohet çdo dit e më tepër. Partitë politike mendojnë se janë mbi shtetin dhe jo në funksion të shtetit dhe qasja e tyre është shumë më tepër private se sa shtetërore. Se shteti është i kapur këtë e dinë të gjithë, por se partitë politike në Kosovë dhe përfaqësuesit e tyre luftojnë me çdo kusht për të grabitur, dëmtuar, shkatërruar dhe jo për të ndërtuar po vërehet çdo ditë e më shumë. Sillen sikur ata e dinë se Kosova do të zhbëhet si shtet dhe dëshirojnë me çdo kusht të përvetësojnë dhe të shkatërrojnë çdo vlerë të shtetit të quajtur Republika e Kosovës.

Mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit është sëmundja kancerogjene e shoqërisë kosovare dhe mu falë kësaj dukurie e kemi privatizimin e institucioneve, privatizimin e ndërmarrjeve publike, grupizimin për sfera të interesit të bizneseve private dhe fenomenin e vendosjes së njerëzve meritokrat dhe të padijshëm në pozita udhëheqëse dhe borde menaxhuese të ndërmarrjeve publike. Sot Kosova përveç pandemisë me COVID-19 ballafaqohet me pandemi ekonomike dhe sociale, e shumë më tepër këtë situatë e rëndon mos uniteti politik ndërmjet partive në koalicion dhe atyre në opozitë se sa që e rëndon frika nga vdekja.

Një situatë që e humbë shpresën për një të ardhme më të mirë dhe e forcon ankthin tek qytetarët dhe prandaj zgjidhja e vetme që mendohet është ikja nga ky vend. Por duhet të kuptohet që ikja iu konvenon vetëm militantëve partiak nën çerdhen e partisë politike, sepse e dijnë që janë të pavlerë dhe do të kenë mbështetje nga liderët e partive politike private, e do ta ndjejnë vetën edhe më komod kur vlerat largohen nga Kosova.

Nuk mjafton të jesh student i shkëlqyer nga Harvard, Michigan, Viena, Berlin, Iowa University, por mjafton të jesh i paditur, i kriminalizuar, i pakurrizor dhe pozitën në institucione do ta keshë të garantuar.

Këtë dukuri ose këto fenomene mund ti hasim qoftë në institucione, qoftë në ndërmarrje publike dhe nuk duhet të na habit fakti se pse Kosova ka ardhur në këtë gjendje të mjerueshme.

Është mirë kur i mençuri i lëshon rrugë të marrit dhe të paditurit por çka do të ndodhë me botën kur këta njerëz do të dominojnë dhe do ta arsyetojnë vetën se krejt të mençurit po na largohen nga rruga dhe i rritin apetitet edhe për pozitat më të larta në të cilat në rrethana normale dhe reale nuk kishin mundur të hyjnë të lirë si qytetarë e të paditur e mos të flasim që ata do të pretendojnë që ato institucione dhe vet shteti të udhëhiqet nga ata.

Kjo është Kosova e pandemisë nga e cila pandemi po gjenerohet kriza morale dhe frika se çka na pret nesër, por nuk duhet të humbet kohë për të kërkuar arsye për dështim sepse dështimi jemi vet ne.

Por Kosova për fat të keq është  goditur nga pandemia që pas vitit 99 dhe kjo pandemi quhet “Partia politike private dhe interesat e saj”.

Lexo edhe

Video