Gërvalla në Athinë: Njohja e Kosovës do të përbënte një hap historik

Gërvalla në Athinë: Njohja e Kosovës do të përbënte një hap historik

Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla është pritur sot në takim nga homologu i saj grek Nikos Dendias, me të cilin ka diskutuar mbi bashkëpunimin Kosovë-Greqi.

Duke e falënderuar për pritjen, ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të avancuar marrëdhëniet bilaterale me Greqinë, si një shtet i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ministrja Gërvalla nënvizoi se Kosova e vlerëson Greqinë si një shtet mik dhe partner dhe e çmon për konstruktivitetin në raport me agjendën evropiane dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Më tej kryediplomatët theksuan rëndësinë e avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike dhe në veçanti diskutuan lidhur me bashkëpunimin në fushën e energjisë.

Ministrja Gërvalla nënvizoi se Kosova ndodhet në fazën e shqyrtimit të opsioneve më të mira sa i përket strategjisë energjetike.

“E ardhmja jonë energjetike ngërthen në vete energjinë tradicionale dhe të ripërtërirë. Ne jemi në kontakt me miqtë tanë për opsionet për tranzicionin sfidues në këtë fushë. Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me Greqinë për detajet dhe për vendimet tona në këtë drejtim”, tha ajo.

Gjithashtu ministrja e Jashtme e Kosovës, ripërsëriti aspiratat e Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për integrim euro-atlantik. Në këtë kontekst përmendi angazhimin e madh të Qeverisë së re në forcimin e sundimit të ligjit si një parakusht për fuqizim dhe demokratizim të mëtejmë të vendit.

Para palës greke, ministrja Gërvalla shpalosi ofertën kosovare sa i përket mundësive të favorshme të të bërit biznes. Një kornizë konkurruese me taksa të ulëta dhe pa burokraci e me një potencial të madh njerëzor për punë profesionale, sipas kryediplomates Gërvalla janë arsye të mira që Kosova të konsiderohet nga investitorët e huaj, të cilët mund të eksplorojnë mundësi të ndryshme të investimeve direkte.

Ministrja Gërvalla po ashtu theksoi se njohja dhe respektimi i pavarësisë së Kosovës nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë, do të ishte një lëvizje e guximshme për stabilitetin në rajon dhe më gjerë, që do të mundësonte hapjen e një dinamike të re në zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan.


“Jo vetëm për vendet tona, por më shumë për fëmijët dhe nipërit tanë, kjo do të ishte një premtim për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropë. Një hap i tillë do të ishte historik dhe mendojmë se është diçka që duhet të bëhet”, tha Gërvalla.

Ndërsa, kryediplomati grek Dendias tha se perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka vetëm rrugën evropiane dhe se mbrojtja e  shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut duhet të jenë busull politike, ekonomike dhe kulturore për vendet e Ballkanit.

Në takim u diskutua edhe për çështje të politikës së jashtme, çështje evropiane dhe rajonale. Bashkëbiseduesit kishin në fokus edhe nevojën për të zgjeruar formën e bashkëpunimit në fusha të tjera si kultura, shkenca, arsimi dhe shëndetësia.

Greqia është njëra nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Lexo edhe

Video