Gërvalla: Lista Serbe nuk mund t’ia ndalojë vizitën Osmanit në veri

Zëvendëskryeministrja, njëherësh shefja e diplomacisë së Kosovës Donika Gërvalla ka deklaruar se nuk është surprizë mos zbatimi i marrëveshjes me Serbinë për dokumente.

Ajo ka thënë se beteja me Serbinë është e gjatë dhe nuk përfundon për dy ditë.

Para mediave ka folur edhe për deklaratën e Listës Serbe se presidentja Vjosa Osmani është e padëshirueshme në veri të vendit.

Gjatë Kuvendit Zgjedhor të partisë Guxo, Gërvalla deklaroi se Lista Serbe nuk e përcakton se ku shkon presidentja e vendit.

“Nuk është ndonjë surprizë që Serbia nuk e zbaton marrëveshjen. Por ju lutem respektoni faktin se sot jemi mbledhur për një qëllim të caktuar. Beteja me Serbinë është e gjatë, beteja me Serbinë nuk përfundon për dy ditë”, tha ajo.


Donika Gërvalla ka thënë se nuk marrin leje për të vizituar komunat veriore.

“Për fat të mirë nuk e përcakton Lista Serbe se ku shkon presidentja e këtij vendi. Ku shkon dhe çfarë bën e kanë përcaktuar qytetarët e këtij vendi dhe jo një parti e caktuar politike, e cila pjesërisht është e drejtuar nga forca kriminale në veri. Ne nuk marrim leje për të vizituar vendin tonë”, ka shtuar ajo.

Ajo nuk është deklaruar kur është pyetur se a do të jetë ajo, kryetarja e re e vendosur nga delegatët e Kuvendit zgjedhor.

Gërvalla ka thënë se deklarimet për largimin e deputetes Doarsa Kica-Xhelili në LDK janë thashetheme.

Largimin e deputetes nuk e ka komentuar as kryeministri Albin Kurti, i cili më herët në Kuvend ka uruar shumë suksese për partinë Guxo.

Lexo edhe

Video