Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Gazpromi frikësohet në projektin ‘Nord Stream 2’

Gazpromi frikësohet në projektin ‘Nord Stream 2’

Gazprom ka paralajmëruar që projekti i ndërtimit të gazsjellësit Nord Stream 2 ka mundësi të pezullohet, për shkak të kundërshtive dhe sanksioneve kundër kompanive që janë duke i shtrirë tubacionet në Detin Baltik.

Kjo është bërë e ditur nga Reuters, të cilët kanë pasur qasje në prospektin e eurobondeve të Gazprom, të cilat ky i fundit pritet t’i lëshojë për tërheqjen e fondeve në monedhë të huaj, për financimin e projekteve të veta.

Kohëve të fundit, edhe në Gjermani, e cila është destinacioni final i Nord Stream 2, ka zëra që thonë se duhet të ndërpritet projekti i gazsjellësit. Këta zëra, pas helmimit dhe së fundmi arrestimit të opozitarit rus Alexei Navalny, janë bërë edhe më të fuqishëm.

Derisa anijet evropiane kanë refuzuar të marrin pjesë në projektin për shtrimin e tubave të gazsjellësit, një zyrtar nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë të Gjermanisë, ia ka konfirmuar AFP-së, se SHBA më 19 janar, do të vendosë sanksione kundër anijes ruse që do t’i shtrojë tubacionet e gazsjellësit në Detin Baltik.


Edhe pse një ditë më herët ishte njoftuar se projekti i shtrimit të tubacioneve të gazsjellësit Nord Stream 2, do të fillonte punët më 15 janar, Gazprom njofton se fillimi i punimeve shtyhet për një kohë të pacaktuar, me arsyetimin se “duhet të kontrollohen pajisjet”.

Njoftimi për shtyrjen e punimeve vetëm se e konfirmon lajmin për mundësinë e pezullimit të punimeve për gazsjellësin Nord Stream 2, pezullim i cili do të ketë impakt pozitiv në zvogëlimin e varësisë së Evropës ndaj gazit rus. Në anën tjetër, dihet se tashmë ka filluar punën gazsjellësi TAP (Trans Adriatic Pipeline) dhe është në proces ndërtimet i terminalit të gazit të lëngët-LNG, në ishullin Kërk të Kroacisë.

Gazsjellësi TAP e sjell gazin nga fushat gazmbajtëse të Shah Deniz të Azerbajxhanit. TAP-i kalon nga Azerbajxhani përmes, Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe përmes ngushticës së Otrantos kalon në Itali. Në Shqipëri pritet të ndërtohet një degëzim i TAP, i cili pastaj do t’i furnizojë me gaz edhe vendet e Ballkanit.

Projekti i ndërtimit të Terminalit LNG në Kërk, është duke u mbështetur dhe nga SHBA dhe BE, pasi që ky projekt do të ndikonte në zvogëlimin e varësisë së BE-së dhe shteteve tjera evropiane nga gazit rus.

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: