Gazetari i njohur jep lajmin e bujshëm: Mbappe nuk do të transferohet te Real Madridi

Gazetari i njohur jep lajmin e bujshëm: Mbappe nuk do të transferohet te Real Madridi

Ylli francez Kylian Mbappe si duket tani do të mbetet te gjiganti francez Paris Saint-Germain sipas gazetarit të njohur Gianluca Di Marzio.

E ardhmja e Mbappes ka qenë subjekt i spekulimeve të vazhdueshme këtë sezon, ku Real Madridi dëshiron që me çdo kusht të nënshkruajë me yllin francez si një transferim i lirë kur marrëveshja e tij aktuale me PSG-në të skadojë në fund të muajit të ardhshëm.

Kampioni francez dëshiron ta mbajë Mbappen në klub, i cili ka shënuar 36 gola në 45 paraqitje këtë sezon, përcjell KosovaPress.

Disa raportime nga Spanja pretendojnë se PSG ka ofruar ta bëjë Mbappen pronar të projektit të tyre sportiv në një përpjekje për ta bindur atë të qëndrojë në “Parc des Princes”.


Mbi të gjitha, PSG thuhet se i ka ofruar atij një pagë marramendëse prej 4.8 milionë eurosh në muaj, dhe një pagesë të madhe prej 118 milionë eurosh si formë bonusi të nënshkrimit të kontratës.

Këto përpjekje duket se janë shpaguar, ku Mbappe thuhet se është i vendosur për të refuzuar një lëvizje te Real Madridi, sipas ekspertit të transferimeve të “Sky Italy”, Di Marzio.

“Mbappe tani është shumë afër për të qëndruar te PSG dhe të rinovojë kontratën e tij me klubin” shkruante në “Twitter” DiMarzio.

Mbappe ende nuk ka konfirmuar se ku do të shtrihet e ardhmja e tij afatgjate, por javën e kaluar tha se ai ishte afër marrjes së një vendimi përfundimtar.

Lexo edhe

Video