Gashi tregon se është paraqitur një avokat i cili ka njohuri për vdekjen e Astrit Deharit

Gashi tregon se është paraqitur një avokat i cili ka njohuri për vdekjen e Astrit Deharit

Nesër dhe pasnesër në Kosovë do të qëndrojnë ekspertë zviceranë, të cilët do të japin sqarimet e tyre lidhur me ekspertizat e tyre të datës 9 dhe 14 qershor të vitit të kaluar në lidhje me rastin e Astrit Deharit. Ardhjes së ekspertëve nga Qendra Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Zvicër, po i gëzohen prindërit e Deharit, meqë këta të fundit thonë se u ka humbur besimi në institucionet e vendit. Ndërsa, mbrojtësi ligjor i këtyre të fundit theksoi se janë paraqitur persona të cilët kanë njohuri, për si thotë ai, për siç thotë ai, vrasjen e 26-vjeçarit.

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari në një paraqitje të drejtpërdrejtë në rrjete sociale te avokati Gashi, tha se është gëzuar shumë ardhjes së ekspertëve zviceranë, meqë theksoi se u ka humbur besimi në institucionet e vendit.

“Vitin e kaluar në të njëjtën kohë na munduan, na endën, na sollën, na çuan gjithkah, derisa e morën atë raport. Tash në të njëjtën kohë, prapë e sollën e pështollën para përvjetorit të Astritit, prapë na doli i njëjti muhabet. Për këta ekspertë që kanë ardhur, e dimë që në atë kohë Sylë Hoxha ka dashur ta mbyllë rastin si vetëvrasje, me kërkesën tonë si prindër që u munduam për fat të mirë na pranuan sa për të na lejuar të vijmë të marrim lëndën”, u shpreh ajo.

Një gjë të tillë e tha edhe babai i Astritit, Avni Dehari, sipas të cilit janë bërë katër vjet që nga vrasja e djalit të tij dhe se janë bërë shumë manipulime e prapaskena.

“Na vjen mirë që ka ardhur puna deri këtu që të vijnë ekspertët zviceranë të japin sqarimet rreth vrasjes së Astritit. Ky rast është pështjellur që sa kohë, katër vjet janë bërë. Janë bërë shumë manipulime, janë bërë shumë prapaskena. Sylë Hoxha ka qenë prokuror atëherë në Prizren, është kryesori që e ka zvarritur dhe e ka ngatërruar punën deri në këtë rast. Mu për këtë arsye edhe u shpërblye prej kryeprokurores që ishte në Prizren, dhe e sollën në Prishtinë me një pozitë më të lartë. Është fajtori kryesor, sigurisht në bashkëpunim me bashkëpunëtorët e vetë që i ka pasur”, ka theksuar ai.


Ndërsa, avokati Tomë Gashi tha se para dy javëve është bërë një rikonstruim në vendin e ngjarjes ku edhe humbi jetën, Astrit Dehari, dhe për këtë nuk kanë qenë të njoftuar nga Prokuroria e Shtetit.

Gashi tha se Prokuroria Speciale qëllimisht është duke e zvarritur këtë rast, meqë deri tani nuk kanë qenë të njoftuar se a kanë nxjerrë vendim për zhvillim të hetimeve në drejtim të zbulimit të këtij rasti.

“Është edhe një risi që persona të caktuar janë duke u lajmëruar faktikisht në zyrën time për të dhënë informata shtesë në lidhje me atë që ata dinë për rastin e vrasjes së Astrit Deharit. Deri më tani është lajmëruar edhe një avokat, i cili ditën kritike më 5 nëntor të vitit 2016 ka qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai ka deklaruar, por ka qenë jashtëzakonisht i frikësuar, që ka pasur faktikisht gjëra jo të zakonshme dhe që vizitën që e ka pasur për një klient tjetër ka qenë diku sipas tij në orët e ditës. Pra, një situatë e jashtëzakonshme gjë që na bën të dyshojmë se ngjarja ka ndodhur tragjikisht, siç është raportuar”, ka deklaruar Gashi.

Ai po ashtu tha se është një person tjetër që ka njohuri për vdekjen e Deharit, për këtë ai bëri thirrje që të gjithë ata që dinë diçka për këtë rast të lajmërojnë atë edhe familjen e Astritit.

Në tetor të vitit të kaluar, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, ka ardhur në përfundim se gjasat janë të vogla që Astrit Dehari, ish-aktivist i Vetëvendosjes, ta ketë vrarë veten në burg. Aty gjithashtu tregohet se analizat e ADN-së që janë kryer në laboratorin e Institutit Zviceran, kanë nxjerrë një profil të ADN-së së të ndjerit, ani pse nga ekspertët kosovarë është thënë se mostra përmban pak ose krejt pak ADN.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: