Gashi: Ndryshimet në ligj detyrojnë partitë të gjejnë rrugë informale të financimit

Gashi: Ndryshimet në ligj detyrojnë partitë të gjejnë rrugë informale të financimit

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se ndryshimet e kërkuara në Ligjin për financimin e subjekteve politike janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se rëndon gjendjen e subjekteve politike.

Pavarësisht kësaj, të njëjtit kanë ftuar deputetët që të votohet Projektligji për ndryshim-plotësim të ligjit dhe që të bëhen ndryshimet e nevojshme për leximin e dytë. Për ndryshime të tilla janë edhe AAK, LDK e LVV.

Shkelzen Hajdini nga Lidhja Demokratike tha se pavarësisht vërejtjeve e përkrahin në parim këtë projektligj.

“Në emër të Lidhjes Demokratike duke theksuar edhe një herë vërejtjet që kishim, ne jemi për votim dhe aprovim të ligjit, megjithatë konsideroj që në mes të dy leximeve duhet të reflektojnë përmirësimet në këto fusha ku ne i kishim këto shqetësime”, ka theksuar Hajdini.


Pavarësisht se për deputetin Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës ky draft-ligj është shumë i rëndësishëm, ai konsideron se ndryshimet janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Sipas tij, këto nene tentojnë ta zhveshin KQZ-në nga detyrat dhe përgjegjësitë kushtetuese e ligjore.

“Ky draft-ligj në esencë nuk arrin që të ndalë financimin joformal të partive politike. Partive politike me këtë draft-ligj i kufizohen donacionet dhe rrjedhimisht kjo i detyron partitë që të gjejnë rrugë informale të financimit për të mos thënë që ky projektligj siç është sot, i detyron partitë politike të financohen në mënyrë ilegale dhe të fshehtë. Edhe publikimi i raporteve duhet të jetë në përputhje me raportet që bëjnë institucionet tjera publike të vendit, dhe jo të vendosen standarde të tjera dhe ngarkesa subjekteve politike, ndryshe nga mënyra se si po raportojnë sot institucionet e vendit në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndër tjera, ai shtoi se ky projektligj është i pazbatueshëm dhe se rëndon gjendjen financiare të partive politike. Megjithatë, ai ka ftuar deputetët që në parim të votohet ky projektligj, por që të ndryshohet në mes dy leximeve.

Këtë projektligj deputetja Albena Reshitaj tha se e përkrah edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ne GP i AAK-së jemi me përkrah në parim draft projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike. Kontributin tonë do ta japim edhe në mes të dy leximeve me propozimet e nevojshme përmes amendamentit. AAK është për transparencë dhe llogaridhënie në financimin e subjekteve politike”, ka shtuar ajo.

Lexo edhe

Video

error: