Gashi: Kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e komisionit hetimor lidhur për menaxhimin e krizës energjetike

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka njoftuar se kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e komisionit hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike. Derisa është shprehur i bindur që komisioni do të themelohet pas mbledhjes së 40 nënshkrimeve, ai theksoi se qeveria me shumicën e saj parlamentare po tenton me çdo kusht që të pengojë formimin e këtij komisioni.

Pas dështimit të themelimit të komisionit hetimor, Gashi në konferencë para gazetarëve tha se në krizën energjetike ka pasur keqpërdorime.


“Përveç faktit se kriza energjetike është ndikuar nga jashtë, ka pasur faktor jashtëzakonisht të mëdhenj të brendshëm të cilët në këtë periudhë kohore e kanë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme nevojën për rritje të çmimit dhe po ashtu nevojën për import. Duke ulur po ashtu në mënyrë të jashtëzakonshme prodhimin vendor. Ka dyshime se prodhimi vendor ka rënë si rezultat i kërkesës së qeverisë që mos të shkojnë në remont termocentralet e ‘Kosovës A’ dhe pastaj aty kur ka filluar koha e pikut të ftohtit në Kosovë, ato kanë shkuar në remont”,
ka deklaruar Gashi.

Qeveria dhe shumica parlamentare, sipas shefit të deputetëve të LDK-së, po tenton që me çdo kusht të pengojë formimin e këtij komisioni parlamentar.



“Lëvizja Vetëvendosje çuditërisht refuzoi që të formohet ky komision. Me sa mbaj mend unë, nuk është refuzuar ndonjëherë formimi i një komisioni hetimor parlamentar. Komisionet kur janë kërkuar, gjithmonë janë formuar, por kësaj radhe ky komision u tentua që të bllokohet. Por, është e pamundur që të tentohet të bllokohet. Komisioni do të formohet dhe do të formohet me 40 nënshkrime, pra me 1/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ky komision do të dal me një raport dhe ai raport nëse puna është bërë mirë, do të thotë që puna është bërë mirë. Nëse ka abuzim apo keqpërdorim të situatës, natyrisht që do të dal ky konkluzion”,
ka njoftuar ai.

Më tej, ai deklaroi se tashmë janë mbledhur pothuajse të gjitha nënshkrimet e LDK-së për themelimin e këtij komisioni.

“Ne kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve. Pothuajse të gjitha nënshkrimet e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë mbledhur[…]Hetimi parlamentar do të ndodhë me çdo kusht me 40 nënshkrime të deputetëve. Tash mbetet në vullnetin e tyre nëse ata dëshirojnë që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në komision hetimor parlamentar, apo jo. Por, komisioni do të formohet”, ka shtuar ai.

Në seancën e sotme, me 23 vota për, 50 vota kundër dhe asnjë abstenim, kuvendi ka dështuar të formojë Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.