Gashi ankohet në Bogujevcin, Konjufca kërkon respektim të rregullores

Gashi ankohet në Bogujevcin, Konjufca kërkon respektim të rregullores

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka vazhduar kritikat në drejtim nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci rreth drejtimit të seancave plenare, në të cilat, sipas Gashit, po dëmtohen të drejtat e opozitës. Gashi ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të kujdeset që opozitës mos t’u mohohet e drejta për të marrë fjalën në seancat plenare.

“Ministri i Financave iu drejtua kryesues së seancës që të mos ia jap fjalën deputetëve dhe më tha mua që nuk keni me folë. Dhe ashtu ndodhi, kryesuesja e seancës i mori urdhrat dhe nuk la debat dhe nuk ua dha të drejtë ne debatit dhe diskutimit për rend dite deputetëve. Është e palogjikshme dhe e pa arsyeshme, po ndodh që disa herë në këtë legjislaturë, mendoj që e dëmton demokracinë, e dëmton mundësinë e bashkëpunimit dhe e dëmton të drejtën e shprehjes së opozitës”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se nuk ka ndodhur asnjëherë në legjislaturat e kaluara që deputetëve mos t’u ipet fjala për të diskutuar për rendin e ditës.

“Kemi pasur raste kur Jakup Krasniqit i ka thënë një ministër i PDK-së, mos ja jep fjalën ose ndërprerje seancën, ai e ka përjashtu prej seancës, deputeti ne partisë së vet, ministri ne partisë së vet e ka përjashtuar prej seancës sepse i ka kërkua me ja mohu të drejtat e deputetëve. Ndërsa kjo këtu seriozisht po më çudit, seriozisht nuk është ajo çka duhet me ndodh, nuk ka kuptim”, ka thënë Gashi.


Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se rregullorja parasheh mënyra për trajtimin e këtyre çështjeve, siç është kategoria e pretendimit të shkeljes së të drejtave të deputetit ku pastaj të njëjtat trajtohen prej komisioneve dhe kryesisë.

“Unë gjithmonë kam qenë ithtar i idesë së interpretimit të rregullës që sa më shumë me favorizua opozitën dhe me ua dhënë të gjitha mundësitë që ua lejon rregullorja, bile nganjëherë edhe me përjashtime në formë të diskriminimit pozitiv të themi, kështu që kjo është qasja ime dhe mendoj që duhet të jetë qasje në përgjithësi e të gjithë atyre që udhëheqin seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. A po do replikë zoti Gashi, urdhëroni”, ka thënë Konjufca.

E në replikën e tij, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se nuk dëshiron që të ketë konflikte në Kuvendin e Kosovës.

“Mundem me hy nëpër procedura, shkon në procedurë atje, shko në procedurë këtu, rezultati është i një konflikti permanent në Kuvend, për të cilin unë nuk e dëshiroj, nuk e dëshiroj konfliktin në Kuvend dhe ju e dini që sa herë kam folë, edhe nga pozita e pozitës edhe opozitës, kurrë nuk kam kërkuar favorizim për grupin tim parlamentar apo ndonjë deputet, kurrë hiç, nuk flas për favorizim asnjëherë”, ka thënë Gashi.

Lexo edhe

Video

error: