Gara për kreun e LDK-së, analistët: Haziri ka përvojën por Abdixhiku përfaqëson frymën e re

Derisa kanë mbetur edhe katër ditë deri në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së për ta zgjedhur kryetarin e ri, analistët politikë e shohin Lumir Abdixhikun si ndryshimin brenda LDK-së për të sjellë reformat e duhura si lider i partisë. Ani pse vlerësohen për vlerat e tyre edhe dy pretedentët e tjerë, Lutfi Haziri dhe Anton Quni, Abdixhiku po konsiderohet se ka potencial për të sjellë frymë të re brenda LDK-së. Ndërkohë, në zyrtarizmin e kandidaturës për kryetar Haziri sot u zotua se do të sjellë ndryshimin dhe do të bëjë reformat e nevojshme brenda LDK-së.

Ligjëruesi i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri thotë për KosovaPress se është me rëndësi se kushdo që vjen në krye të LDK-së mos të jetë dorë e zgjatur e kryetarit në dorëheqje Isa Mustafa.

Për këtë arsye, ai thotë se Abdixhiku ka simpati te brezi i ri i LDK-së dhe mund të sjellë ndryshimet e nevojshme në parti, për dallim nga Haziri, i cili sipas tij prej kohësh ka qenë në funksione publike.

“Kushdo që të jetë në krye të LDK-së duhet të përfaqësojë një frymë të re, një klimë të re të ndryshimeve të mëdha që duhen të ndodhin në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Rezultatet në zgjedhjet e (përgjithshme) ishin të dobëta dhe shpejtë ballafaqohemi me zgjedhje lokale, prandaj një organizim i ri dhe frymë e re brenda LDK-së do të ishte tepër e rëndësishme. Në anën tjetër, kandidaturat që janë shfaqur deri tash, sigurisht i kanë vlerat e tyre dhe secili prej tyre ka përparësitë. Ta zëmë zotëri Haziri ka përvojë më shumë se kundërkandidatët, ndryshe prej Lumir Abdixhikut që është një figurë me e re dhe më me pak përvojë. Por unë vlerësoj se si i tillë ka një simpati tek brezi i ri i LDK-së dhe te qytetarët e zakonshëm. Është shumë e rëndësishme që kushdo që vjen në krye në LDK-së të mos jetë një dorë e zgjatur e pushteteve të kaluara ose kryetarit në dorëheqje (Isa Mustafa). Lumir Abdixhiku për vlerësimin tim përfaqëson gardën dhe frymën e re në LDK. Ndryshe zotëri Haziri është prej kohësh në LDK, i njëjti ka pasur funksione publike qoftë si zëvendëskryeministër, pastaj ministër, kryetar komune. Edhe rezultatet që ka marrë në Gjilan të zgjedhjeve të përgjithshme tregojnë se zotëri Haziri nuk e ka përkrahjen qytetare”, thotë ai.

I njëjtit mendim është edhe drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, i cili thotë se Haziri hynë në estabilishmentin e vjetër të LDK-së që i sollën partisë humbjen më të thellë në histori.

Sipas tij, Lumir Abixhiku është kandidati potencial që mundet të sjellë reformat e duhura në LDK.


“Estabilishmenti kryesor i partisë janë fajtorët kryesorë dhe jo të vetmit. Prandaj për të ndërtuar një frymë të re, pritjet janë më të vogla, ta ndërtojë dikush që ka qenë pjesë e këtij estabilishmenti të paktën këto 20 vitet e fundit. Në një farë mënyrë gjithçka drejtohet tek zotëri Abdixhiku si një kandidat potencial që mundet të sjellë një frymë të re në LDK dhe mundet të reformojë LDK-në”, thotë ai.

Ndërsa, në shpalljen zyrtare të kandidaturës së tij për kryetar, Lutfi Haziri u zotua se do të sjellë ndryshimin brenda LDK-së me reforma të bazuara në meritë, konkurrencë dhe hapje për breza të ndryshëm.

“Po vjen koha për ndryshim dhe ky ndryshim nuk ka alternativë, ka me ndodh. Ky rikthim i madh i LDK-së si parti e parë është gardian i kësaj Republike. Rikthim i madh që nënkupton besim tek partnerët, shpresë tek popullata jonë dhe guxim dhe përgjegjësi për të zhvilluar vendin tonë. Si kandidat i LDK-së për zgjedhjet e 15 marsit jap zotimin tim për një vlerësim të drejtë dhe reformë të bazuar në meritë, konkurrencë, vlerësim të rezultatit dhe hapje të domosdoshme për brezin evropian të LDK-së në vendimmarrje”, tha ai.

Të dielën e 14 marsit, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin e Punës për ta zgjedhur kryetarin e partisë. Deri më tani, pretedentët për kryetarë të LDK-së janë Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Anton Quni dhe Besian Mustafa i cili e shpalli kandidaturën pasditen e së mërkurës.

Lexo edhe

Video