GAP kërkon të vlerësohet projekti për ndërtimin e “Kosovës së Re”, përbën ndihmë shtetërore të palejuar

GAP kërkon të vlerësohet projekti për ndërtimin e “Kosovës së Re”, përbën ndihmë shtetërore të palejuar

Departamenti i Ndihmës Shtetërore dhe Komisioni i Ndihmës Shtetërore duhet t’i japin prioritet vlerësimit të projektit “Kosova e Re” dhe duhet të kërkojnë asistencë teknike nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për vlerësimin e këtij projekti, pasi kjo  sipas raportit “Kapacitetet dhe pavarësia e institucioneve për ndihmë shtetërore”, përbën ndihmë shtetërore të palejuar, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Kështu është thënë sot në prezantimin e raportit “Kapacitetet dhe pavarësia e institucioneve për ndihmë shtetërore”, realizuar nga Instituti GAP, Instituti i Prishtinës për Studime Politike, dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Blendi Hasaj, hulumtues në GAP, ka bërë prezantimin e raportit, i cili tha se në skemat e ndihmës shtetërore të identifikuara nga Departamenti i Ndihmës Shtetërore nuk bëjnë pjesë skemat apo ndihmat individuale nga fusha e energjisë.

Ai tha se është e rëndësishme që organet e ndihmës shtetërore të marrin për vlerësim projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, i cili përbën ndihme shtetërore të palejuar, duke u dëmtuat kështu buxheti i Kosovës.

Hasaj tha se projekti për “Kosovën e Re”, që përbën investimin me vlerën më të lartë që nga paslufta në Kosovë , 1.3 miliard euro dhe në të cilin konsiderohet se ka elemente të shumta të ndihmës shtetërore, nuk është subjekt i një vlerësimi nga Departamenti i Ndihmës Shtetërore nga Komisioni.


Hasaj ka treguar tri rekomandimet që kanë për institucionet e Ndihmës Shtetërore, ku ndër to është që institucionet e ndihmës shtetërore duhet të marrin në trajtim të gjitha projektet për të cilat ekzistojnë indikacione që ka prezencë të ndihmës shtetërore.

Drejtoresha ekzekutive e Institutit GAP, Nora Latifi-Jashari, tha se qëllim kryesor i tyre ka qenë që përmes mekanizmave të monitorimit dhe të vlerësimit të informojnë publikun mbi arritjen e institucioneve relevante në zbatimin e ERA-së, në mënyrë që të kërkojnë prej tyre llogaridhënie.

Ndërsa, ambasadorja e Holandës në Kosovë Gerrie Willems, tha se MSA dhe ERA janë instrumentet kyçe dhe janë udhërrëfyes konkret për zhvillimin e Kosovës dhe për përparimin në rrugën drejt integrimit evropian.

 

 

Lexo edhe

Video