GAP: Afër 40 mijë punëkërkues në katër muajt e parë të këtij viti

GAP: Afër 40 mijë punëkërkues në katër muajt e parë të këtij viti

Instituti GAP ka analizuar ndikimin e hershëm të pandemisë COVID-19 në tregun e punës, si dhe ndikimin e masave intervenuese të qeverisë në zbutjen e rreziqeve të papunësisë, duke theksuar se vetëm në muajin prill janë regjistruar gjithsej 32,377 punëkërkues të rinjë, duke bërë që numri i përgjithshëm i punëkërkuesve në Agjencinë e Punësimit të shkojë në 37,392 në katër muajt e parë të vitit 2020.

GAP ka publikuar raportin “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në tregun e punës”, ku tregohet se si përhapja e pandemisë në Kosovë, e shoqëruar me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mbylljen e shumë veprimtarive afariste, pati një ndikim të menjëhershëm në tregun e punës.


“Vetëm në muajin prill janë regjistruar gjithsej 32,377 punëkërkues të rinjë, duke bërë që numri i përgjithshëm i punëkërkuesve në Agjencinë e Punësimit të shkojë në 37,392 në katër muajt e parë të vitit 2020. Një pjesë e madhe e tyre (16,820) janë gra. Marrë parasysh pjesëmarrjen shumë të ulët të aktivitetit ekonomik të grave dhe barrierat tjera në punësim, shkalla e papunësisë në mesin e grave mund të rritet edhe më shumë. Të dhënat nga Administrata Tatimore e Kosovës tregojnë se industritë të cilat punësojnë më së shumti punëtorë në Kosovë – ajo e tregtisë me shumicë e pakicë, e ndërtimtarisë dhe industrisë përpunuese, shënuan rënie të madhe të punëtorëve gjatë periudhës janar-mars 2020. Përderisa në mars të vitit 2019 në industrinë e tregtisë me shumicë e pakicë punonin rreth 80 mijë persona, në mars 2020 ky numër ra në rreth 43 mijë. Edhe numri i kontributpaguesve në Fondin Pensional të Kosovës (Trust) ka shënuar ulje prej rreth 20% në shumicën e komunave të Kosovës.Me gjithë lehtësimin e masave kufizuese dhe hapjen graduale të veprimtarive biznesore, raporti vjen në përfundim se tregu i punës nuk mund të kthehet menjëherë në situatën e para-pandemisë. Kjo për shkak se jo të gjitha veprimtaritë ekonomike që do të hapën do të kenë kërkesën e njëjtë për ofrim të mallrave apo shërbimeve si dhe për shkak se bota e pas-pandemisë mund të kërkojë veprimtari dhe shërbime të reja ekonomike të cilat kërkojnë edhe shkathtësi të reja”, thuhet në komunikatë/

GAP thotë se pa një plan gjithëpërfshirës të rimëkëmbjes ekonomike numri i të pa punëve mund të rritet edhe më shumë në muajt në vijim.

Lexo edhe

Video