Fushata kundër dhunës gjinore hapet me homazh për gratë e vrara dhe ndriçimin e Bibliotekës Kombëtare

Fushata kundër dhunës gjinore hapet me homazh për gratë e vrara dhe ndriçimin e Bibliotekës Kombëtare

Në ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës në Baza Gjinore, u shënua edhe fillimi i fushatës ndërkombëtare “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore.”

Për çdo vit, 16 ditët e aktivizmint, nga 25 nëntori, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Grave, e deri më 10 dhjetor, Dita e të Drejtave të Njeriut, janë një kohë për të inkurajuar veprime që i kontribuojnë dhënies fund të luftës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Me këtë rast, Zyra e UN Ëomen në Kosovë, e organizoi ndriçimin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në ngjyrë portokalli e po ashtu në bashkëpunim me DAM Festival, organizoi një koncert si homazh për gratë në Kosovë që humbën jetën si pasojë e femicidit.

“Tema globale e këtij viti është “Ndal Dhunën ndaj Grave Tani” duke theksuar nevojën urgjente për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht gjatë krizave si pandemia COVID-19. Ngjyra zyrtare e fushatës, ajo portokalli simbolizon një të ardhme të ndritur dhe pa dhunë, për gratë dhe vajzat.

Prezente gjatë lansimit të fushatës në bibliotekë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u shpreh se dhuna me bazë gjinore mund të luftohet vetëm duke edukuar gjeneratat e reja dhe duke mbjellë kulturën e barazisë qysh herët tek djemtë e vajzat.

“Ndalimi i dhunës fillon me edukim, atë formal dhe joformal. Është detyrë e të gjithëve që t’i edukojmë brezat e ardhshëm pa norma të dëmshme gjinore, në mënyrë që gratë dhe vajzat të kenë një të ardhme më të mirë. Duhet të angazhojmë burra dhe djem në mënyrë që ata të kthehen në mbrojtës të të drejtave të grave dhe vajzave”. 

Me një fjalim dhe duke ndriçuar në të portokalltë ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare, Diellza Hoti, vajza e Armenda Aliut që u vra nga bashkëshorti i saj në gusht të vitit 2019, bëri thirrje për institucionet që ta trajtojnë me prioritet dhunën me bazë gjinore dhe shoqërinë që ta përkrahë fuqizimin e grave.


“E ndodhur mes nënshtrimit ndaj dhimbjes dhe përpjekjes për të kthyer dhimbjen në forcë, është sfidë e madhe. Por duke qenë e vetdijshme për rëndësinë  e kësaj fushate globale kundër dhunës ndaj gruas, që nesër mos të ketë viktimë tjetër, unë sot jam në mesin tuaj. U bëj thirrje, burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, le t’i shfrytëzojmë këto 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore, dhe jo vetëm, ta ngrisim zërin, të raportojmë dhunën, dhe së bashku t’i japim fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, sot e përgjithmonë”.

Në anën tjetër Vlora Tuzi Nushi, shefe e Zyrës së UN Ëomen në Kosovë, duke bërë lansimin e fushatës në bibliotekën kombëtare tha se kura më e fuqishme kundër dhunës me bazë gjinore është edukimi.

“Përderisa nuk ka vaksinë kundër dhunës me bazë gjinore, atëherë mbetet në dorën tonë që ta parandalojmë atë. E vaksina më e mirë është edukimi. Fushata 16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Familje këtë vit ka një mesazh të fuqishëm: T’i japim fund dhunës ndaj grave tani”

Sipas një njoftimi, ceremonia e ndriçimit të bibliotekës është pasuar me koncertin e DAM Festival në Sallën e Kuqe në Prishtinë ku performuan solistja Adelina Paloja dhe pianistja Lule Elezi, përderisa në sfond u transmetuan emrat e 14-të grave të vrara gjatë 10 viteve të fundit në Kosovë.

Gjatë koncertit fjalim mbajti Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Ulrika Richardson, e cila theksoi se ky koncert është dedikim për ato gra që besuan në partnerët e tyre, por që prapë se prapë patën një fund tragjik.

“Kur një grua vritet, shumë shpesh nga partneri i saj, kjo ndodh nga dikush që ajo e do dhe i beson dhe ajo vrahet vetëm sepse është grua. Sonte po i kujtojmë ato përmes muzikës, muzikës që transmeton emocione, empati, solidaritet dhe shpresë”.

Kosova është pjesë e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit” tash e disa vite përmes Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore që udhëhiqet nga zyra e UN Ëomen në Kosovë.

Lexo edhe

Video

error: