Fushata e korrje-shirjeve në Gjilan do të fillojë më 10 korrik

Fushata e korrje-shirjeve në Gjilan do të fillojë më 10 korrik

Lajmi u bë i ditur pas takimit që pati me kombajnerët dhe fermerët kryetari i Komunës, Alban Hyseni, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku e drejtori i Bujqësisë, Bajram Isufi.

Kryetari Hyseni, nëpërmjet prezencës online, ka siguruar fermerët për rritjen e mbështetjes së vazhdueshme për ta me të gjitha kapacitetet komunale.

“Njëra prej zotimeve tona ka qenë që të bëjmë një databaze të të dhënave. Këtë databazë tashmë e kemi siguruar, e kemi hartuar një liste dhe i kemi të dhënat e kontaktet e secilit prej jush. Ajo çfarë neve na duhet tash është që databazën ta plotësojmë edhe me informacione tjera, siç është nevoja e mjeteve të punës”, ka thënë kryetari Hyseni.


Nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, ka thënë se duke e marrë parasysh faktin se fermerët kohëve të fundit janë ballafaquar me stuhi dhe me breshër, subvencionimet nuk do të mungojnë, si nga ana e Ministrisë së Bujqësisë e po ashtu edhe e Drejtorisë së Bujqësisë në Gjilan.

Kurse, drejtori për Bujqësi në Gjilan, Bajram Isufi, ka konfirmuar se është gjithçka gati për të filluar me fushatën e korrje-shirjeve, më 10 korrik, teksa bëri të ditur se kombajnerët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me çmimin që është vendosur për ta nga Ministria e Bujqësisë, duke shfaqur shpresën që në ditët në vijim do të dakordohen për një çmim më të arsyeshëm.

“Si Komision komunal do ta mbikëqyrim dhe do t’i monitorojmë korrje-shirjet, do të jemi pranë fermerëve dhe kombajnerëve. Shpresoj që ky vit të jetë më i mirë dhe të ketë më shumë bereqet”, ka thënë Isufi.

Lexo edhe

Video