Furnizimet shtesë me gaz për Bullgarinë u diskutuan gjatë vizitës zyrtare të presidentit të Azerbajxhanit

Furnizimet shtesë me gaz për Bullgarinë u diskutuan gjatë vizitës zyrtare të presidentit të Azerbajxhanit

“Në takimin me presidentin Rumen Radev, ne diskutuam për furnizimet me sasi shtesë të gazit natyror për Bullgarinë dhe kur të kthehem do ta shqyrtoj këtë temë në nivel kombëtar”, tha presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev për mediat pas një takimi me presidentin bullgar Rumen Radev.

“Bullgaria dhe Azerbajxhani tani janë partnerë miqësorë dhe strategjikë, ne po bashkëpunojmë shumë më fuqishëm, kemi një marrëdhënie shumë më të ngushtë”, theksoi i ftuari.

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev mbërriti të premten për një vizitë zyrtare dyditore në Bullgari me ftesë të presidentit bullgar Rumen Radev.

“Azerbajxhani është partneri ynë i dëshiruar, prioritar dhe i besueshëm”, tha presidenti Radev. “Më vjen mirë që ramë dakord të vazhdojmë bashkëpunimin tonë pragmatik dhe të dobishëm në një sërë fushash me interes të përbashkët”, tha presidenti Rumen Radev, pas takimit me Presidentin Ilham Aliyev.

Kjo është vizita e katërt e Aliyevit në këtë vend, pas vizitave të bëra në vitet 2005, 2009 dhe 2015.


I ftuari u prit në një ceremoni zyrtare në sheshin Sveti Alexander Nevsky dhe vendosi kurora lulesh në Monumentin e Ushtarit të Panjohur.

Në ceremoni morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Hristo Aleksiev, Ministri i Jashtëm, Nikolai Milkov, Ministri i Ekonomisë dhe Industrisë, Nikola Stojanov, ndihmësit e Presidentit Radev, dhe zyrtarë të tjerë.

Pas mirëseardhjes, dy presidentët zhvilluan një takim, e më pas u zhvilluan bisedime plenare mes dy delegacioneve për bashkëpunimin në energji, ekonomi, siguri, turizëm, shkencë, arsim dhe kulturë.

Më 1 tetor, presidenti Aliyev do të marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të funksionimit tregtar të Interkonjeksionit të Gazit Greqi-Bullgari. Ngjarja do të zhvillohet në Sallën 3 të Pallatit Kombëtar të Kulturës në Sofje.

Azerbajxhani është partneri strategjik i Bullgarisë në përpjekjet për të arritur shumëllojshmërinë e furnizimeve me gaz natyror të vendeve evropiane në kontekstin e paqëndrueshmërisë së tregut evropian të energjisë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Në vitin 2013, Bulgargaz nënshkroi një marrëveshje 25-vjeçare për marrjen e 1 miliard kub m gaz natyror në vit nga Azerbajxhani. Bullgaria do të mund të marrë të gjithë sasinë e gazit azerbajxhanas siç është kontraktuar, pas vënies në funksion të interkonjektorit me Greqinë./BTA-KosovaPress

Lexo edhe

Video