FSK blen pajisje ushtarake në vlerë prej 32 milionë euro dhe rekruton 1240 ushtarë të rinj

Forca e Sigurisë së Kosovës ka blerë pajisje ushtarake në vlerë prej 32 milionë euro dhe ka rekrutuar 1240 ushtarë të rinj gjatë këtij viti.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje tha se pajisjet ushtarake të blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kryesisht janë autoblinda, snajperë, dronë dhe pajisje  të tjera.

Para deputetëve, Mehaj theksoi se raportet me ShBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes nuk kanë qenë kurrë më të mira. Derisa, bëri të ditur se Kosova do të jetë nikoqire e operacionit ushtarak “Defender Europe 2023”.

“Për të modernizuar ushtrinë tonë kemi blerë pajisje ushtarake nga ShBA-të. Kjo formë e blerje është blerje direkt nga shteti, ky është një prej synimeve të mia edhe në raport me partnerët ndërkombëtar. Me anë të këtyre marrëveshjeve edhe e rrisim partneritetin, por edhe realizojmë blerjet më të volitshme dhe çmime më konkrete sa i përket marrëveshjeve shtet më shtet. Blerjet janë më të sigurta, çmime më konkrete dhe garancia që i jepet për pajisjet dhe shteti që blihen. Në total vlera e pajisjeve që kemi blerë e kap shifrën 32 milionë euro. Këtu përfshihen autoblindat, lloj armatimi siç po i ceki disa prej tyre, si autoblinda, snajperë, dronë dhe disa pajisje që s’mundem me i përmend në seancë të hapur për publikun. Sa i përket rekrutimeve, ende pa u bërë viti si ministër, ne kemi rritur numrin e pjesëtarëve tanë, fillimisht me 400 pjesëtarë të ri dhe tani edhe për 840 pjesëtarë të ri, ku jemi në proces e sipër. Kjo i bie 1240 pjesëtarë të ri brenda këtyre tetë muajve”, tha ai.

Duke folur për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mehaj tha se raportet e mira mund t’i konfirmojnë edhe vet ata.


“Unë e ritheksoj se kurrë ma mirë nuk e kemi pasur bashkëpunimin me ShBA-të, siç e kemi sot. Këtë munden me ua konfrimu ShBA-të edhe vet”, shtoi ai.

Ai tha se nikoqirllëku i operacionit ushtarak, “Defender Europe 2023” ka domethënie  të madhe për Kosovën, pasi marrin pjesë me dy regjimente.

“Kemi marrë konfirmimin se Republika e Kosovës do të jetë vendi nokiqir i “Defender Europe 2023”. Kjo ka domethënie të madhe për neve sepse aty do të marrim pjesë me dy regjimente. Ne kemi filluar planin e përgatitjeve si dhe blerjen e pajisjeve ushtarake që nevojiten për këtë ushtrim”, deklaroi Mehaj.

Mehaj përsëriti se rrugëtimi i Kosovës është drejtë anëtarësimit në NATO. Krahas kësaj ai tha se janë në fazën finale të rishikimit të tri ligjeve bazë të FSK-së.

Pas deklarimit të ministrit Mehaj, mbledhja e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje është mbyllur për media.

Lexo edhe

Video

error: