FSHF nderon mjekët: Janë Kombëtarja që po përballet me “ndeshjen” e vështirë

Federata Shqiptare e Futbollit vlerëson maksimalisht punën, mundin dhe sakrificën e mjekëve, infermierëve, sanitarëve, shoferëve të ambulancave dhe të gjithë punonjësve në sistemin e shëndetësisë që në vijën e parë po përballen me guxim me virusin vdekjeprurës Covid-19.

Në këtë kohë të vështirë, FSHF, thotë se jemi shpirtërisht pranë tyre dhe familjeve të tyre.

Federata e Futbollit shpalli simbolikisht 459 mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët e ambulancave dhe të gjithë  personelin e përfshirë si Kombëtaren që po përballet me një “ndeshje” të vështirë, të pabarabartë e të padrejtë për jetën njerëzore.

Emrat e tyre u shkruan për secilin në një fanellë të kombëtares shqiptare të futbollit dhe do u dhurohen këtyre heronjve të heshtur në shenjë vlerësimi, mbështetjeje dhe solidarizimi.


Në Ditën Botërore të Shëndetit, fanellat e punonjësve të shëndetësisë, mbushën fushën e stadiumit kombëtar Air Albania me mesazhin: “Mjekët kombëtarja jonë!”

Emrat e tyre do të qëndrojnë në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit si një kujtesë për sakrificën e tyre. Gjithashtu, Federata e Futbollit duke menduar fëmijët e tyre, do të shpërndajë edhe 459 topa që vogëlushët të mund të luajnë futboll në kushtet e shtëpisë.

“Ne sërish bëjmë thirrje që të qëndrojmë në shtëpitë tona, si përpjekja më e mirë për të ndaluar përhapjen e virusit. Kjo është mbështetja më e madhe që mund tu japim mjekëve tanë, që kanë lënë familjet e tyre dhe ditë e natë po rrezikojnë jetën për ne duke u ndeshur me virusin! Ne krenohemi me ta. Ne besojmë se shumë shpejt, të gjithë së bashku do ta fitojmë këtë “ndeshje”!”-së.

Lexo edhe

Video