Federata Shqiptare e Futbollit dhe 6 federata të tjera janë gjobitur nga UEFA për shkak të koreve raciste dhe diskriminuese të tifozerive përgjatë finaleve të Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”.
Nëpërmjet një njoftimi, UEFA ka vendosur të gjobisë me 30 mijë euro Federatën Shqiptare të Futbollit për shkak të ngjarjeve në dy prej ndeshjeve të Kombëtares shqiptare, ndaj Kroacisë dhe Spanjës, ku objektiv i hetimit ishin sjelljet raciste dhe diskriminuese të tifozëve shqiptarë.
UEFA ka gjobitur edhe Federatën Kroate të Futbollit (50 mijë euro), Federatën Rumune (40 mijë euro), Federatën Serbe (30 mijë euro), Federatën Sllovene (30 mijë euro), Federatën Hungareze (30 mijë euro) dhe Federatën Austriake (20 mijë euro).
Ndër të tjera, UEFA ka vendosur disa sanksione të tjera për Kroacinë, Rumaninë dhe Serbinë. Këto tre federata e kanë të ndaluar shitjen e biletave për tifozët për një ndeshje jashtë shtëpisë. Ky vendim hyn në fuqi që në shtator, me nisjen e edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
“FSHF gjen rastin t’u bëjë apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve dhe trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar”, thuhet në reagimin e FSHF-së.