Franca dhe Kosova me marrëveshje për mësimin e gjuhës frënge nga diplomatët kosovarë

Franca dhe Kosova me marrëveshje për mësimin e gjuhës frënge nga diplomatët kosovarë

Ambasada Franceze në Kosovë dhe Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nënshkruan të martën memorandum mirëkuptimi dhe protokollin e marrëveshjes trepalëshe për kurse të gjuhës frënge të nivelit fillestar të zyrtarëve të Kosovës 2020-2021, përmes të cilave do t’u mundësohet zyrtarëve të lartë të vazhdojnë mësimin e gjuhës frënge, si dhe do të ndihmojë në përparimin e frankofonisë në përgjithësi.

Kështu u tha me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje nga Ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel dhe drejtori i Akademisë Dimplomatike të MPJD-së, Sabri Kiçmari.

Me këtë rast, Kiçmari tha se ky është një moment i rëndësishëm për të dyja vendet, teksa shprehu mirënjohje për ndihmën që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite.  

Ai theksoi se përmes marrëveshjeve të arritura sot, po u hapet një mundësi e mirë të gjithë diplomatëve të Kosovës për mësimin e gjuhës frënge.

“Franca që ka ndihmuar vendin tonë të kalojë kohën e rëndë të pushtimit dhe të fitojë lirinë, ka qenë dhe mbetet një vend i dashur dhe mik për qytetarët e Kosovës. Përmes aktit të sotëm te bashkëpunimit ne po hapim një mundësi të mirë për të gjithë diplomatët e Republikës të Kosovës për të mësuar gjuhën frënge dhe për të marrë pjesë në trajnime të organizuara në Francë nga shkolla kombëtare e Administratës. Ky memorandum bashkëpunimi është në shërbim të thellimit të marrëdhënieve jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Francës por edhe ndërmjet Kosovës dhe gjithë popujve të shteteve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë”, tha ai.


Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel tha se aktivitetet e dala nga ky memorandum bashkëpunimi do të kontribuojnë në avancimin e frankofonisë në Kosovë, si dhe në përforcimin e kapaciteteve të administratës publike, si një element thelbësor në perspektivën evropiane të vendit.

Ajo tha se situata aktuale me pandemisë ka bërë që disa aktivitete të shtyhen për një kohë, porse pritet të realizohen gjatë këtij viti.

Nga seminaret që pritet të mbahen këtë vit, Butel tha të jenë: “Veprimtaria Politike” dhe “Diplomacia e Influencës”, të parapara në kuadër të këtij bashkëpunimit.

“Këto aktivitete si tërësi do të kontribuojnë në avancimin dhe përparimin e frakofonisë në Kosovë. Republika e Kosovës është anëtare e asociuar në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe ky fakt më gëzon shumë. Në të njëjtën kohë, këto trajnime do të mund të përforcojnë kapacitetet në administratë publike, çka mbetet një element thelbësor për të përparuar drejt konkretizimit në perspektivën evropiane të Kosovës”, tha ajo.

Kurset e gjuhës frënge të nivelit fillestar përfundojnë këtë javë, ndërsa përmes nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimet mes Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Akademisë Diplomatike të MPJD-së, zyrtarë të lartë kosovarë do të mund të vazhdojnë të mësojnë gjuhën frënge në nivel më të lartë.

Video