Fotografi nga Vlora, shqiptarët bëhen bashkë në festën më të rëndësishme të kombit

Fotografi nga Vlora, shqiptarët bëhen bashkë në festën më të rëndësishme të kombit

Përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë dhe të Kosovës janë mbledhur në Vlorë për të shënuar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Aty ku 110 vjet më parë u ngrit flamuri shqiptar, po qëndrojnë krerët e shtetit të Kosovës, presidentja e vendit Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, të cilët kanë vendosur kurora lulesh pranë varrit të Ismail Qemalit.

Në sheshin e Flamurit ku më 28 nëntor të vitit 1912 u shënua ngjarja më e rëndësishme e kombit shqiptar, sot u ngrit flamuri kuq e zi, ndërsa presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj tha se shqiptarët kanë sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon.


“Përgjegjësitë e Shqipërisë janë edhe më të mëdha se kaq. Ne kemi detyrim për fuqizim të faktorit shqiptar në rajon. Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kombëtare. Me ata nuk na bashkon vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e Integrimit Evropian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë”, ka thënë presidenti i Shqipërisë.

“Kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe NATO. Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme, bashkudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj euroatlantik”, ka shtuar Begaj.

Ceremonisë së mbajtur sot në Vlorë i ka paraprirë mbledhja e deputetëve nga Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, e zhvilluar dje në Tiranë në shënim të 110- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Shqiptarët më 28 nëntor shënojnë Festën e Flamurit, përvjetorin e lindjes së komandantit legjendar Adem Jashari si dhe kujtojnë daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lexo edhe

Video