Forcohet leku, monedhat e huaja humbasin terren
Biznes
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Në tregun e brendshëm të këmbimit valutor në Shqipëri, të martën leku forcoi pozitat në raport me monedhat e huaja. Rënia e kursit të këmbimit të euros vijoi me ritme të larta edhe të martën.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha evropiane u këmbye të martën me 107.4 lekë, duke prekur një minimum të ri historik.

Rënia vjetore e euros ka arritur gjithashtu një nivel rekord, prej 10.6%. Vetëm në muajin e fundit, euro ka humbur 3.5% të vlerës në kursin e këmbimit me lekun.

Sipas agjentëve të këmbimit, rënia shpjegohet me ofertën shumë të lartë të valutës në treg. Kjo ofertë përkon fillimin e sezonit turistik, por sigurisht jo me pikun e këtij sezoni, ndaj ndoshta vetëm turizmi nuk e shpjegon dot ofertën shumë të lartë valutore në treg.

Një hipotezë tjetër e lidhur me këtë periudhë të vitit mund të jetë edhe ndikimi i investimeve të shtetasve jorezidentë në tregun e pasurive të paluajtshme. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se blerjet e pronave nga shtetasit e huaj vitin e kaluar arritën nivelin më të lartë historik. Ato prekën e vlerën e 291 milionë eurove, me një rritje vjetore prej 52%, shkruan Oranews.

Forcimi i monedhës vendase në teori ka një tendencë për të ulur koston e importeve dhe për të ngushtuar deficitin e llogarisë korrente të vendit. Kjo duhet të përkthehet në çmime më të ulëta konsumi dhe në rënie të inflacionit, sigurisht në mungesë të faktorëve të tjerë që veprojnë në drejtim të kundërt. Të tillë faktorë mund të jetë konkurrenca e pamjaftueshme në tregje ose presionet në rritje inflacioniste nga tregu i punës.

Leku i fortë po favorizon huamarrësit në monedhën europiane, që në shumicën e rasteve të ardhurat e tyre i kanë në monedhën vendase. Forcimi i lekut sjell ulje të nivelit të borxhit dhe të shpenzimeve për shlyerjen e tij. Përfituesi më i madh është qeveria shqiptare, që në fund të tremujorit të parë 2023 kishte një borxh të jashtëm në vlerën e afërsisht 4 miliardë eurove, ose afërsisht sa 33% e vlerës së përgjithshme të stokut të borxhit publik.

Kredia në euro dominon edhe në sektorin privat të ekonomisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, më shumë se 52% e kredisë në fund të vitit të kaluar ishte në valutë të huaj dhe kryesisht në euro.

Por, forcimi i lekut po i jep një goditje serioze sektorëve eksportues të mallrave dhe shërbimeve në ekonomi. Rënia e kursit të euros me pothuajse 11% në një vit përkthehet në tkurrje të të ardhurave (si rezultat i lëvizjeve të kursit) në të njëjtën masë për ato subjekte që të ardhurat i realizojnë të gjitha në euro.

https://kosovapress.com/admin/euro-drejt-barazimit-me-lekun-ja-kursi-i-kembimit-valutor/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024