Fondi Kosovar për Garanci Kreditore nënshkruan marrëveshje me Kreditimin Rural të Kosovës

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore nënshkruan marrëveshje me Kreditimin Rural të Kosovës

Sot, në ambientet e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), u nënshkrua Marrëveshja e Garancisë me Kreditimin Rural të Kosovës (KRK).

Kjo marrëveshje u nënshkrua për garantimin e kredive bujqësore brenda Dritares Agro të FKGK-së.

Kjo ngjarje shënon më tutje zgjerimin e marrëveshjeve që FKGK realizon gjatë këtij viti me institucionet mikrofinanciare duke ofruar garanci për kredi bujqësore për fermerët dhe agrobizneset vendore.

Lulzim Sadrija, drejtor ekzekutiv në KRK, theksoi që nënshkrimi i marrëveshjes së institucioneve mikrofinanciare me FKGK-në do të jetë shtytëse e madhe në rritjen e kreditimit dhe një hap domethënës drejt rritjes së përfshirjes financiare në Kosovë.


Ndërsa Bahrije Dibra, koordinatore e Lartë për Sektorin e Financave dhe Energjisë -KfW theksoi që ky është një hap i rëndësishëm për FKGK-në meqë tani kanë marrëveshje me tri institucionet më të mëdha mikrofinanciare në Kosovë.

“Këto marrëveshje  shpresojmë që do të lehtësojnë kredi dhënien dhe do të ndikojnë dukshëm në krijimin e kushteve sa më të mira për financimin e Agro bizneseve”, tha ajo.

Dritarja Agro është skemë garantuese që operon në kuadër të FKGK-së me qëllim të mbështetjes së fermerëve dhe agrobizneseve duke garantuar kreditë për këtë sektor.

Deri më tani janë garantuar rreth 27 milion euro – kredi bujqësore dhe janë rreth 9 milion euro garanci aktive në këtë sektor.

Kapitali i përgjithshëm i Dritares Agro është në vlerë totale prej 11.5 milionë euro që është financuar plotësisht nga Qeveria Gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim – KfW.

Lexo edhe

Video