“Fluturojnë” çmimet, inflacioni në Kosovë 11.2%

“Fluturojnë” çmimet, inflacioni në Kosovë 11.2%

Inflacioni (rritja e çmimeve) në Kosovë në prill të vitit 2022 ka arritur në 11.2 për qind në raport me muajin prill të vitit të shkuar. Në muajin mars ka qenë 10 për qind.

Indeksi i harmonizuar për çmimet e konsumit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregon për rritje të çmimeve për 11.2 përqind në muajin prill, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas raportit të ASK-së rritja e inflacionit shpjegohet me ngritjen e çmimeve të konsumit dhe të shërbimeve.

Derisa inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1.5 përqind në muajin prill 2022 krahasuar me muajin mars.


“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,5% në muajin prill 2022 krahasuar me muajin mars 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te: buka dhe drithërat 1,2%, mishi 3,6%, qumështi, djathi dhe vezët 0,9%, vajrat dhe yndyrat ushqimore (15,6%), pemët (1,5%), perimet (5,4%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat 2,0%, blerja e automjeteve 1,3%, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal 2,7%, shërbimet për transport 3,9%, shërbimet hoteliere 1,4% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,7 përqind”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërkaq, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill 2022 me muajin prill 2021 është 11.2 përqind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 11,2 për qind në muajin prill 2022 krahasuar me muajin prill 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (24,3%), mishi (13,5%), qumështi, djathi dhe vezët (21,7%), vajrat dhe yndyrat ushqimore (51,3%), perimet (13,8%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (15,9%)”, thuhet në raport.

Invazioni ushtarak rus në Ukrainë që nga 24 shkurti, ka ndikuar që të ngritën çmimet e produkteve esenciale ushqimore edhe në tregun e Kosovës, sidomos për derivatet e naftës, miellit dhe bukës, dhe vajit për gatim.

Lexo edhe

Video