Flitet që do të shkarkohet, Reja kërkon siguri për postin e trajnerit te Shqipëria
Lexohet për: 3 min.
14-Reja
2 vite më parë
Linku u kopjua

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja ka kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) që t’ia rikonfirmoj pozitën e tij si trajner i “kuqezinjve”.

Reja ka bërë një rezyme të punës që e ka bërë deri tani me Shqipërinë, ku theksoi se objektivi kryesorë ishte kualifikimi në Kampionatin Evropian Euro 2024, raporton KosovaPress.

Trajneri italian tani po kërkon për siguri në postin e trajnerit të Shqipërisë nga presidenti i FSHF-së, Armend Duka, që ta udhëheqë kombëtaren drejt fazës së eliminatoreve të Euro 2024.

“Flitet shumë për të ardhmen, por pjesa e moshës është thjesht faktor psikologjik. Kam shumë besim të kjo skuadër dhe objektivi im fillestar ishin eliminatoret e Euro 2024. Sigurisht që kemi zhgënjyer në Ligën e Kombeve dhe nuk dua të kërkoj alibi. Unë dua ta çoj deri në fund këtë mision për në finalet e Euro 2024”, tha Reja.

Po ashtu, Reja tregoi pse dëshiron të vazhdojë karrierën e trajnerit me “kuqezinjtë”.

“Dua të qëndroj sepse kam energjinë e duhur por do të flas me Dukën menjëherë pas përfundimit të kontratës. Dëshira ime është e madhe për të vazhduar. Ia kam thënë presidentit që me këtë skuadër mund të shkojmë në Evropian. Ne ishim shumë pranë play-off të Botërorit por situata u komplikua në ndeshjen me Poloninë ku në një rast Uzuni madje gaboi një gol pothuajse të sigurt në fillim dhe ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe. Ne mund ta luajmë kualifikimin me Çekinë, por në eliminatore lojtarët duhet të jenë në formë të mirë. Nuk ka ndeshje të lehta në eliminatore por unë jam i bindur që do të bëjmë mirë. Nuk është thjesht çështje dëshire por ne duhet t'i luajmë shanset tona deri në fund”, tha Reja.

Më tej, Reja foli edhe për ndeshjen miqësore me Arabinë Saudite, për të cilën ka grumbulluar plot 14 lojtarë nga Superliga e Shqipërisë.

"I kam ndjekur prej disa vitesh lojtarët e Superiores. Kjo ndeshje do të më shërbejë t'i shikoj nga afër edhe pse do të doja që të punoja më shumë me ta. Shpresoj që ndonjëri prej tyre të jetë pjesë e Kombëtares në të ardhmen. Tre vite më parë e kam pasur në projekt bashkë me presidentin për të përfshirë sa më shumë lojtarë nga Shqipëria. Marr si shembull Hoxhallarin, Seferin apo Trashin. Do të ishte pozitive të grumbulloja ndonjë lojtar të kësaj miqësoreje në ndeshjen me Italinë por fillimisht duhet t'i vlerësoj. Kemi bërë shumë ndryshime dhe kemi marrë vendime por është shumë e vështirë që të ndryshojë grupi aktual me 23 lojtarë që unë kam. Nuk i nënvlerësoj ata që luajnë në Shqipëri por kanë pak eksperiencë”, tha Reja.

Kombëtarja e Shqipërisë do t’i rikthehet aksionit më datën 26 tetor, ku zhvillon ndeshje si mysafire kundër Arabisë Saudite.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024