Fitimet nga rrjetet sociale e kriptovalutat duhet të deklarohen në ATK

Fitimet nga rrjetet sociale e kriptovalutat duhet të deklarohen në ATK

Ministri i Financave, Hekuran Murati, këtë të hënë bëri të ditur se qytetarët tash e tutje duhet t’i deklarojnë të gjitha të hyrat personale që gjenerojnë gjatë gjithë vitit dhe të hyrat të cilat nuk tatimoren në burim ashtu siç ndodhë edhe në paga.

Në një konferencë për media, Murati ka thënë se kanë mbetur edhe pak ditë që qytetarët duhet ta plotësojnë formularin në mënyrë elektronike për deklarimin e pasurisë duke përfshirë ata të cilët, kanë lokale apo shtëpi me qira, të ardhura nga fitimet kapitale dhe të ardhurat nga burimet nga jashtë.

“Bëhet fjalë për plotësimin e deklaratës të të ardhurave personale që është deklaratë që sipas ligjit pra duhet të plotësohet nga të gjithë ata që kanë pasur të ardhura gjatë vitit paraprak e për të cilat nuk kanë paguar tatim apo nuk është ndalur tatimi në burim. Ata që marrin pagën e rregullt u ndalet tatimi në burim, pra nuk ka nevojë që të plotësohet kjo deklaratë, por nëse ka të ardhura të tjera siç është fjala nga qiraja d.m.th. nëse ke lëshuar banesë apo shtëpi me qira ndaj një entiteti që nuk e ndal tatimin në burim dhe që nuk e paguan ndaj ATK-së, duhet ta plotësoni këtë deklaratë, formulari është elektronik, që duhet të plotësohet që ta zëmë ka të ardhura, nga qiraja, ka të ardhura nga fitimet kapitale, ka të ardhura nga burimet nga jashtë… Çështja e plotësimit të formularit për vitet paraprake normalisht në platformën EDI, janë edhe vitet paraprake pra të gjitha vitet nëse ke pasur të ardhura në vitet e kaluara d.m.th. mund të deklarohen në mënyrë që të evitohet çfarëdo shkelje në raport me ligjin”, tha ai

Ministri Murati kujtoi se duhet të paguhet tatim edhe për të ardhura nga puna “freelance” që bëjnë shumë të rinj në Kosovë por edhe për fitimet nga rrjetet sociale si Youtube.


“Fitimi ose të ardhurat e tjera mund të llogariten edhe të ardhurat që janë me burim nga jashtë, pra mund të jenë të ardhura nga puna ‘freelance’, kemi shumë të rinj që punojnë dizajnerë, programorë, apo profesione të tjera, por që nuk e kanë idenë (se a duhet të paguajnë tatim), kjo është për t’i sqaruar që edhe ata janë të obliguar të deklarojnë të ardhurat e tyre që fitojnë nga puna ‘freelance’ dhe ta paguajnë atë tatim në mënyrë që të mos kenë telashe sa i përket zbatimit të ligjit. Çështje tjetër mund të jenë edhe të ardhurat nga Youtube, apo rrjete sociale, ka edhe Google Ads, të ardhura nga Youtube, nga video të ndryshme, të gjitha këto janë të ardhura që duhet të shënohen në këtë deklaratën e të ardhurave personale dhe pastaj të barazohemi me ATK”, tha Murati.

Sipas ministrit Murati, edhe qytetarët të cilët merren me shitblerjen e kriptovalutave duhet të deklarojnë të hyrat e tyre vjetore.

“Pra, është çdo fitim i cili është bërë ose është gjeneruar nga shitblerja e paluajtshmërisë, pra pronës së paluajtshme, shitblerja e letrës me vlerë, por edhe shitblerja e kriptovalutave që i kemi tash së fundmi”, deklaroi Murati

I pyetur nga KosovaPres për ekzekutimin e shtesave të 100 eurove për punëtorët e sektorit privat ku tash e 1 muaj ende nuk janë ekzekutuar, ai ka thënë se shumë shpejt pritet të ekzekutohen.

“E kemi sqaruar që komisioni është formuar, afati i aplikimit ka qenë deri javën e kaluar dhe do të krijonte më shumë telashe sesa që do të zgjidhte problemin nëse kishim filluar t’i trajtojmë një nga një aplikimet në mënyrë të veçantë, pra është dashur të pritet të përmbyllët afati në mënyrë që komisioni të fillojë punën dhe po besoj që shumë shpejtë edhe do ta kryejnë punën” theksoi ai. 

Lexo edhe

Video