Filmi i parë shqiptar “Tana”, në Festivalin “Lumiere” të Francë

Filmi i parë shqiptar “Tana”, në Festivalin “Lumiere” të Francë

Filmi i parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë “Tana”,  i realizuar në vitin 1958 me regji të Kristaq Dhamos, u shfaq të martën i restauruar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit LUMIЀRE, në Lion të Francës. Lajmi bëhet i ditur nga Arkivi Qendror Shtetëror i Flimit, ku për herë të parë po merr pjesë në programin “Thesare dhe kuriozitete” (Treasures & Curiosities).

Shfaqja e filmit u prezantua nga Maelle Arnaud, drejtoreshë e programacionit të Festivalit LUMIÈRE, e cila ia dha fjalën drejtoreshës së AQSHF-së, Marinela Ndria për të prezantuar filmin dhe procesin e restaurimit. Prezantimi u mbyll nga studiuesi Joël Chapron i cili ka si profil të punës së tij studimin e kinematografive të Europës Qendrore dhe Lindore.


Filmi “TANA” do të shfaqet edhe në datën 21 tetor, ora 10:45 në Lumiere Terreaux. Gjithashtu, delegacioni nga AQSHF do të marrë pjesë në Marketin Ndërkombëtar të Filmit Klasik MIFC, ku do të prezantojnë kinematografinë shqiptare në festivale apo distributorë të tjerë të interesuar për ta shfaqur.

Filmi “Tana” është filmi i parë i mirëfilltë i kinematografisë shqiptare, xhiruar me autorë e aktorë shqiptarë. Subjekti i filmit u mor nga novela e shkrimtarit Fatmir Gjata dhe për ndërtimin e skenarit të filmit punuan shkrimtarët Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, në bashkëpunim me kineastin Kristaq Dhamo. Në film trajtohet një nga problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare për kohën, siç ishte kolektivizimi në fshat, por edhe ndryshimet që po ndodhnin mbi disa aspekte të jetës së shoqërisë shqiptare, kryesisht në fshat.

Në film luajnë aktorët: Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Andon Pano, Thimi Filipi, Marie Logoreci, Ilia Shyti, Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Lazër Filipi, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Vangjel Grabocka, Esma Agolli, Dhimitër Trajçe. Muzika e filmit u kompozua nga Çesk Zadeja dhe mbetet një prej filmave që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e kinematografisë shqiptare. Premiera e filmit u dha më 17 korrik 1958./ATSH

Lexo edhe

Video