Nata e dytë e “Film Flakës”, që po mbahet në kuadër të manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, para publikut gjilanas ka sjellë dy filma të metrazhit të shkurtër “Kanarinat e dinë” dhe “Daullet e rezistencës”, që të dy me temë përafërsisht të njëjtë, nga peripecitë e popullit shqiptar nëpër të cilat kanë kaluar në prag, gjatë dhe pas luftës më të fundit në Kosovë.Nëpërmjet një familje gjashtëanëtarëshe nga Prishtina, filmi i metrazhit të shkurtër “Kanarinat e dinë”, trajton gjendjen në Kosovë në prag dhe gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, ku personazhet jetojnë nën ankthin se çfarë do të sjellë e nesërmja.
Ky film është i Kaltrina Krasniqit e në të cilin paraqiten aktorë të njohur kosovarë Luan Jaha, Auritë Agushi, Shengyl Ismajli, Sylejman Lokaj e të tjerë.
Në fakt ky film tregon për përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës organizimin e jetës nën kushte okupimi dhe marrjen formë të jetës nën kushte të tilla, por edhe për demonstratat e vazhdueshme deri te organizimi luftarak.
Regjinë e këtij filmi e ka bërë Mathieu Jouffre, që është edhe skenarist bashkë me Besa Lucin, që njëkohësisht ishte edhe producente.
“Film Flaka”, është pjesë e kalendarit të “Flakës së Janarit 2024”, pasi paraprakisht drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Kushtrim Zeqiri dhe drejtoresha e Qendrës Kinematografike e Kosovës, Blerta Zeqiri, kishin zyrtarizuar memorandumin e bashkëpunimit.