Kur ka mbetur edhe një ditë të fillojë mësimi, gjysma e nxënësve ende nuk janë të pajisur me libra. Nga rreth 300 mijë familje sa pritet të aplikojnë për subvencionim për tekstet mësimore, deri më tani sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë aplikuar rreth 92 mijë prindër.
Vendimi i MAShT-it që të subvencionojë për tekste shkollore dhe pajisje tjera për klasat 1-5 me 80 euro dhe 30 euro për si mbështetje për materiale të tjera shkollore pë klasat 6-9, del të jetë llogaritur gabim. Nga disa fatura që ka arritur të sigurojë KosovaPress nga prindërit, shihet se vetëm blerja e teksteve shkollore për klasën e katërt ka arritur shifrën 73 euro.

Ky vendim nga MAShT-i vazhdon të kritikohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, shoqëria civile por edhe nga prindërit. Sipas SBAShK-ut, fëmijët dhe mësimdhënësit do të ballafaqohen me sfida në mbarëvajtjen e mësimit.
Ndërkaq, prindërit shprehen me mendime të ndara sa i përket kësaj çështje. Për disa është mjaft problematike sigurimi i teksteve shkollore në një librari, e për të tjerë ky vendim i arsyeshëm.
Qytetari, Ymer Berisha, i cili ka regjistruar fëmijën në klasën e parë, thotë për KosovaPress se shuma e librave deri më tani ka shkuar në 57 euro, porse ende nuk i ka kompletuar.
Ndërsa, qytetarja, Vjosa Berisha ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për këtë vendim. Derisa thotë se është krijuar tollovi në blerjen e librave, sipas saj, ka qenë përgjegjësi e MAShT-it t’i sigurojë librat për nxënësit.
Se ky vendim është i gabuar, e thotë edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.
Jasharaj thotë se shuma e ndarë për fëmijët në vlerë prej 80 euro, 50 euro për tekste shkollore dhe 30 euro për pajisje të tjera, për klasën e parë deri në të pestën, nuk del të jetë ashtu. Sipas tij, edhe po të bëhen dyja bashkë, në disa raste nuk e mbulojnë shifrën për blerjen e librave.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…
Mes tjerash, Jasharaj shprehet i shqetësuar se nxënësit do humbasin javë të tëra derisa të kompletohen me tekste shkollore.
KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me përgatitjen me libra për vitin shkollor, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e kësaj teme.
Po ashtu, KosovaPress ka kontaktuar edhe me Këshillin e Prindërve, mirëpo as këta të fundit nuk kanë pranuar të përgjigjen.
Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme (e mërkurë), Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore dhe materialet mësimore.
Ekzekutivi në mbledhjen e saj elektronike ka ndarë 6,323,380 euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5 dhe 6,617,340 euro për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9.