FFK shpall më të mirët e vitit, Rrahmani: Vit jo i mirë për kombëtaren

FFK shpall më të mirët e vitit,  Rrahmani: Vit jo i mirë për kombëtaren

Në manifestimin tradicional të Federatës së Futbollit të Kosovës “Laureatët e Vitit” kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe njëkohësisht anëtari i skuadrës italiane Napoli Amir Rrahmani është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit 2021.

Forma e tij e jashtëzakonshme në paraqitjet me “Dardanët” dhe Napolin kanë bërë që Rrahmani ta fitojë këtë vit çmimin “Fadil Vokrri”, përcjell KosovaPress.

Në pamundësi që të ishte i pranishëm në ndarjen e çmimeve për shkak të ndeshjes kundër Spezias në Serie A, Rrahmani përmes një video-mesazhi falënderoi FFK-në për këtë vlerësim.

“Ju falënderoj për besimin e dhënë. Ky çmim për mua është një privilegj i madh dhe një shtysë që të punoj edhe më shumë për të ardhmen. Për mua ka qenë viti më i suksesshëm, ndoshta më i miri në karrierën time, por besoj se është vetëm fillimi, sepse kur arrin në këto nivele gjithmonë mundohesh të përmirësohesh sa më shumë”, tha Rrahmani.

Po ashtu, mbrojtësi kosovar foli edhe për Kombëtaren e Kosovës, ku tregoi se nuk ishte një vit i mirë, por shpreson që në të ardhmen ta kualifikojë Kosovën drejt Evropianit ose Botërorit.

“Po e mbyllim një vit jo edhe aq të mirë për kombëtaren sepse kemi pritur rezultate më të mira, por futbolli e ka kështu. Duhet të besojmë që në të ardhmen të kualifikojmë Kosovën në Evropian ose Botëror, pse jo. Faleminderit edhe njëherë për besimin dhe shpresoj që të kthemi më të fortë në kualifikimet e ardhshme, ju përshëndes të gjithëve”, tha Rrahmani.

Ndërkaq, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, presidenti i FFK-së Agim Ademi foli për vështirësitë që ka hasur FFK, por edhe klubet gjatë këtij viti si pasojë e pandemisë, e cila po ashtu goditi edhe tifozët, të cilët nuk kishin mundësi të ishin afër skuadrave të tyre të zemrës në stadiume.

Më tej, presidenti Ademi tha se viti 2021 nuk solli rezultatet e pritura dhe të merituara të Kombëtares, teksa vlerësoi rritjen e cilësisë së kampionatit vendor, si dhe paraqitjen e klubeve në garat evropiane.

Çmimet e ndara sot nga Federata e Futbollit të Kosovës në kuadër të manifestimit “Laureatët e Vitit” i gjeni më poshtë.

Futbollisti më i mirë i vitit në BKT Superligë – Endrit Krasniqi (FC Prishtina)

Klubi më i mirë i vitit 2021 – FC Prishtina


Trajneri më i mirë i vitit 2021 – Zekirija Ramadani (FC Prishtina)

Golashënuesi më i mirë i vitit 2021 – Gerhard Progni (FC Gjilani – 19 gola)

Gjyqtari më i mirë i vitit 2021 – Dardan Çaka

Të arriturat në ndarje të drejtësisë – Lumturije Muhadri

Klubit më ‘fair-play’ – FC Feronikeli

Futbollistja më e mirë e vitit 2021 – Donjeta Halili (KFF Mitrovica)

Klubi më i mirë i vitit 2021 për femra – KFF Mitrovica

Shpresa e vitit 2021 – Vesa Paçarizi (KFF Malisheva)

Lojtari më i mirë në futsall për vitin 2021 – Yulian David Diaz Montanez (KF Liqeni)

Klubi më i mirë i vitit 2021 në futsall – KF Liqeni

Ndërkaq më poshtë gjeni dhe formacionin më të mirë të vitit 2021.

Enea Koliqi (Gjilani), Leotrim Bekteshi (Prishtina), Ardian Limani (Drita), Ilir Blakqori (Drita), Armend Thaqi (Ballkani), Arbnor Ramadani (Llapi), Endrit Krasniqi (Prishtina), Valmir Veliu (Llapi), Ermal Krasniqi (Ballkani), Gerhard Progni (Gjilani), Kreshnik Uka (Drenica).

Lexo edhe

Video