Fetahu paralajmëron rishikimin e vendimit për ndalimin e tifozëve mysafir në ndeshjet e basketbollit

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu ka bërë të ditur se vendimi për ndalimin e udhëtimit të tifozëve mysafir në ndeshjet e Supeligës së Kosovës në basketboll mund të ndryshojë dhe për këtë do të bëhet një vlerësim i situatës së shpejti.

Këtë paralajmërim i pari i FBK-së e bëri gjatë nënshkrimit të kontratës me Sigal Prishtinën për organizimin e Superkupës së Kosovës. Ai fillimisht theksoi se vendimi për ndalimin e tifozëve ishte më i vështiri për ta marrë që prej se ai është në krye të Federatës së Basketbollit.


“Është një prej vendimeve që e kemi pasur me së vështiri në bordin e federatës për ta marrë në këto vitet që unë jam kryetar, por e kemi konsideruar në momentin e caktuar që është vendim i domosdoshëm thjeshtë për të mos e lejuar ndonjë ekces madhor i cili potencialisht ka mundur te shfaqet dhe ta dëmtojë këtë për çfarë po punojmë tani e sa vite. Ky është kthimi i basketbollit në nivelin ku ka qenë por edhe më lartë se sa ka qenë më parë.”, tha Fetahu.

I pyetur nga KosovaPreës nëse ky vendim do të rishikohet, Fetahu bëri të ditur se pikërisht kjo mund të bëhet pas ndeshjeve të Superkupës të cilat do të shërbejnë për të parë situatën me tifozë të pranishëm dhe nëse gjithçka shkon mirë, atëherë do të mblidhet bordi dhe të më merret vendimi i duhur për këtë çështje.

“A mund të rishikohet? Patjetër se mund të rishikohet…Arsyeja pse e kemi bërë vendim për pezullimin e përkohshëm, jo për ndalimin e plotë ka qenë që ta shohim se si po shkojnë këto zhvillime në këto ngjarje. Në ndërkohë ne do t’i kemi dy aktivitete në të cilat është i lejuar ardhja e tifozëve, e kemi Superkupën e cila organizohet tani në dhjetor dhe Kupën e Kosovës e cila organizohet në shkurt…Për t’iu përgjigjur pyetjes sate, patjetër që do të rishikohet edhe do ta marrim vendimin meritor të cilin e vlerësojmë në momentin e caktuar se është i duhur.”, tha Fetahu.

Lexo edhe

Video