Festë në Suharekë, 25 grupe nga Evropa e ndezin atmosferën në karnavalin “Golden Eagle”

Rreth 400 artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia, Italia, Franca, Spanja, Anglia dhe Brazili janë mbledhur në Suharekë, ku po përformojnë në kuadër të karnavali “Golden Eagle”.

Ky karneval tashmë tradicional, i cili po mbahet për herë të tretë në Suharekë, ka mbledhur mijëra qytetarë e mysafirë. E për argëtimin e tyre është organizuar edhe një koncert me emra të njohur të estradës tonë, i cili do të zgjasë deri në mesnatë.

Në karnavalin “Golden Eagle”, ishin njëzet e pesë grupe të ndryshme nga Evropa që performuan për herë të parë në Kosovë. Karnevali nisi nga objekti i komunës duke vazhduar përgjatë rrugës kryesore të qytetit.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se kjo festë është bërë traditë, ndërsa e cilësoi si një festë me rëndësi për gjithë Kosovën.

“Besoj që është një ditë shumë me rëndësi edhe për mua si kryetar i komunës por edhe për gjithë qytetarët e Komunës së Suharekës, është një festë e madhe për neve. Kjo festë është bërë traditë, ky është viti i tretë, për shkak se dy vite më herët s’kemi pas mundësi për shkak të pandemisë, por kjo çdo herë është duke u rritur, do të jetë një festë shumë me rëndësi, jo vetëm për qytetarët e Komunës së Suharekës por për gjithë Kosovën”, tha Muharremaj.

Ndërsa, drejtori i kompanisë Golden Eagle, Shaqir Palushi tha për KosovaPress, se rreth 400 artistë do të përformojnë në karnaval, dhe veçanta e kësaj është se shumica prej tyre prezantohen për herë të parë në Kosovë.

“Afërsisht janë 400 artistë dhe do të performojnë në defile dhe skenë, janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia, Italia, Franca, Spanja, Anglia dhe Brazili. Shumica prej këtyre grupeve prezantohen në Kosovë për herë të parë por edhe në rajon, dhe kjo besoj që do të jetë një arsye më shumë për ta vizituar në këtë ditë vikendi Suharekën”, theksoi Palushi.

Palushashi ka shtuar se nuk ka pasur ndonjë problem gjatë organizimit. Ndërkaq ka thënë se i kanë të gjitha masat e nevojshme, duke përfshirë, Policinë, emergjencën e zjarrfikësit.


“Çdo gjë deri tani ka shkuar mirë, sepse kemi pas edhe mbështetjen e pa rezervë të pushtetit lokal dhe të gjitha institucioneve relevante që e mbështesin dhe krijojnë siguri duke filluar nga komuna, duke na dhënë të gjitha hapësirat publike për shfrytëzim, pastaj Policia e Kosovës, emergjenca e cila është në gatishmëri, zjarrfikësit por edhe qytetarët të cilat në forma të ndryshme e kanë ndihmuar me forma vullnetare këtë festë e cila besoj që është e veçantë për Kosovën”, vijoi Palushi.

Qytetarët janë ata që po e shijojnë çdo minutë të kësaj feste, ndërsa shprehen se atmosfera e filluar është mjaftë mirë.

Zaim Qafleshi që vie nga Opoja për ta shijuar festën, thotë se organizimi është i jashtëzakonshëm.

“Jam ardhë nga Opoja dhe atmosfera është shumë në nivel të lartë. Shumë është një organizim i jashtëzakonshëm, i gjerë”, tha ai.

Fjolla Bytyqi tha së në Karnaval merr pjesë për herë të tretë.

“Atmosfera është shumë e mirë dhe po shihet që ka njerëz prej gjithë Kosovës. Është viti tretë që marrë pjesë dhe është shumë mirë”, tha ai.

Ahmet Bugari thotë se përveç që atmosfera është e mirë, është edhe mikpritja.

“Shumë mirë jemi duke kaluar në Karnavalin e Suharekës. Mikpritja është e mirë”, tha ai.

Karnavali ka nisur me parakalimin e grupeve nëpër qendër të Suharekës dhe do të vazhdojë me koncert deri në mesnatë.

Lexo edhe

Video