Ferronikeli e gazi amerikan përplasin Muratin me deputetët e PDK-së dhe LDK-së

Gjendja në fabrikën Ferronikel dhe vendimi i qeverisë së Kosovës për gazin, ka përplasur ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës Ferat Shala dhe deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj.

Murati para deputetëve fajtor kryesor për gjendjen në fabrikën Ferronikeli e ka bërë PDK-në, që sipas tij për shkak të korrupsionit dhe hajnive të kësaj partie kjo fabrikë sot është në këtë gjendje.

“Fajin kryesor për mos punën e Ferronikelit sot e ka PDK, fillimisht duke i penguar zhvillimin e kapaciteteve të reja në energjetikë dhe së dyti duke e privatizuar një aset siç është Ferronikeli me pretekstin se bëhet barrë e shtetit dhe duhet ta heqim qafe. Po të kishte qenë Ferronikeli shtetëror ne si shtet patjetër që do të duhej të ndërhynim, mirëpo tash ajo është një kompani private, kur paska humbje po dashka me ndërhy shteti e fitimi nesër, kur ka fitim a merr shteti diçka, jo more nuk merr, fitimin e merr pronari. Kështu që, nëse doni me ja kthy Feronikelin shtetit ne do të jemi më së të lumtur që të marrim përsipër obligimet, por përderisa është kompani private nuk kemi punë aty”, tha ai.

Atij i është përgjigjur deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se është mjerim ta dëgjosh një ministër të Financave që pyet se çka fiton shteti nga një ndërmarrje privat industriale.

“Nuk ka gjë më mjerim se me e dëgju një ministër të Financave me thënë çka fiton shteti nga një ndërmarrje private industriale sot. Pra, një ministër i Financave që nuk e dinë që shteti fiton me ligj të rregulluar, një ministër i Financave që nuk e dinë që 1 mijë punëtorë janë punëtorë, qytetarë të Kosovës dhe sot janë në shtëpi dhe sot 1 mijë familje i ka lënë në skamje pa bukë, pa të ardhura personale, një ministër i Financave që kthehet 20 vjet pas dhe kthehet te privatizimi në kohën e UNMIK-ut kur njeriu që e ka privatizuar sot është anëtarë i LVV-së dhe një ministër i cili në mungesë të argumenteve shkencore, njerëzore, intelektuale del dhe fyen opozitën sinqerisht nuk ka mjerim më të madh qeveritar dhe politik”, tha ai.


Shalës sërish i ka reaguar ministri Murati, i cili tha se vitin e kaluar i është hequr renta minerare kësaj kompanie dhe se asnjë cent nuk ka përfituar Republika e Kosovës.

“Sa i përket rentës minerare ju deputet i nderuar vitin e kaluar keni votuar me ja heq pagesën, asnjë cent nuk e ka marrë Republika e Kosovës pesë muajt e parë të vitit se ju keni votuar me ja heq pagesën e rentës minerare asaj kompanie. Kemi pasur seancë për këtë çështje, ju ja keni paguar asnjë cent nuk e ka marrë shteti, kështu që mos manipuloni. Ferronikeli sot është në këtë gjendje për shkak të juaj, për shkak të qeverisjes suaj”, tha ai.

Murati, është përplasur edhe me deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj për çështjen e gazit, ku ky i fundit e kishte quajtur të gabuar vendimin e qeverisë së Kosovës.

“Qysh u bë puna Driton Selmanaj me dalë me na kallxua çka është gazi, si ndikon në ekonomi dhe si po na ndikojka në subjektivitetin e vendit. Gjitha ata ekonomistë i kanë aty asnjëri nuk del me fol për gazin kanë shku e kanë gjet Dritonin. Do të thotë këtu është problemi se as nuk po donë me debatu këta, nëse duan të debatojnë urdhëroni shtroni argumentet në rrafshin ekonomik. Paraprakisht para se të diskutosh pa e këqyrë në internet a dinë sa është çmimi i gazit, veç këtë tregoma pastaj flasim për gaz”, tha ai.

Ministrit i ka reaguar deputeti Selmanaj, duke thënë se herëve tjera do ta pyesin atë se kush do të flas nga LDK për tema të caktuara.

“Kudo që është Amerika jemi ne dhe ku jemi ne edhe Amerika, fuqizohet subjektiviteti jonë ndërkombëtar dhe kanë me ardhë edhe njohje të reja e shumë procese tjera. Nëse rrëshqitni kështu qysh keni rrëshqitë normalisht që keni me na pengu, po kjo punë nuk ka shpëtim vetëm vonim ka sepse nesër pasnesër rrëzoheni ju dhe vjen një qeveri tjetër e përgjegjshme”, tha ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: