Fëmijët në Suedi do të vijojnë mësimin nga mosha 6-vjeçare
Bota
Lexohet për: 3 min.
feew
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Fëmijët në Suedi do të fillojnë shkollën në moshën gjashtëvjeçare nga viti 2028.

Deri më tani ata kanë filluar shkollën në moshën shtatëvjeçare, ndërsa vendimi është marrë në kuadër të rishikimit të sistemit arsimor.

Qeveria suedeze ka njoftuar se do të zëvendësojë vitin e detyrueshëm parashkollor me një vit shtesë të shkollës fillore. Qeveria e koalicionit të qendrës së djathtë shpalli planin përpara buxhetit të paraqitur për vitin e ardhshëm, shkruan Guardian.

Plani buron nga qeveria e mëparshme dhe mbështetet nga socialdemokratët.

Ministri i Arsimit Johan Pehrson tha se do të ketë një fokus më të madh në mësimin e hershëm.

"Kjo duhet të çojë që nxënësit të kenë një mundësi më të mirë për të zhvilluar aftësitë bazë si leximi, shkrimi dhe numërimi," vuri në dukje ai.

Kritikët thonë se plani bie ndesh me kërkimet që tregojnë se zhvillimi i fëmijëve mbështetet më së miri nga mjediset e të mësuarit të bazuara në lojëra.

"Duke i shtyrë gjashtëvjeçarët në një mjedis shkollor më të formalizuar, ne rrezikojmë të humbasim metodat bazë të bazuara në lojëra, të cilat janë treguar se stimulojnë zhvillimin e fëmijëve. Studimet konfirmojnë se lojërat janë themeli për mësimin e hershëm dhe zhvillimin e aftësive kritike si, për shembull, në gjuhë dhe zgjidhjen e problemeve”, tha Christian Eidevald, profesor i ftuar në Universitetin Södertörn.

Eidevald është mes një grupi akademikësh që studiojnë fëmijët dhe pedagogjinë dhe kanë shkruar një artikull duke vënë në dyshim arsyetimin e qeverisë.

“Përfshirja e gjashtëvjeçarëve në shkollën fillore pa marrë parasysh nevojat e tyre specifike zhvillimore dhe pa përfituar nga kompetenca unike e edukatorëve është një hap në drejtim të gabuar dhe nuk do të çojë në barazi më të madhe. Në vend të ndryshimeve strukturore, duhet të investohen mjete për ngritjen e cilësisë së arsimit me mësimdhënës kompetentë”, thanë ata.

Masat e tjera arsimore përfshijnë investimin në "shkolla urgjente" për zhvendosjen e përkohshme të fëmijëve kur ka probleme në shkollë, investime më të mëdha në tekste shkollore dhe financim për trajnimin e mësuesve dhe edukatorëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024