Fëmijët e familjeve në asistencë sociale kanë probleme në ndjekjen e mësimit online

Fëmijët e familjeve në asistencë sociale kanë probleme në ndjekjen e mësimit online

Fëmijët e familjeve përfituese të skemës së asistencës sociale kanë pasur probleme të theksuara në qasje në përcjelljen e mësimit online.

Kështu u tha sot në publikimin e hulumtimit “Qasja në mësimin online dhe kushtet e jetesës për familjet përfituese të skemës së asistencës sociale gjatë Covid-19, nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale.

Ky hulumtim është realizuar me intervista telefonike, ku janë realizuar 227 intervista në 32 komuna të Kosovës, ku janë intervistuar rreth 7 familje për një komunë. Të përfshira në hulumtim janë familjet nga të gjitha nacionalitetet, 182 familje shqiptare dhe 42 nga komunitetet romë, ashkali, goranë dhe serbë. Nga këto 277 familje janë 745 fëmijë.

Drejtori i Institutit për Zhvillimin e Politikave Sociale, Vehbi Mujku, tha se ka pasur probleme të theksuara në qasje në përcjelljen e mësimit online të fëmijëve nga familjet përfituese të skemës së asistencës sociale.

Ai tha se 24 familje nuk posedojnë fare TV, andaj fëmijët e tyre nuk kanë mundur të ndjekin e-mësimin. 64 përqind të këtyre familjeve, ai tha se kanë deklaruar se kanë qasje në internet dhe 34 përqind kanë deklaruar se nuk kanë qasje. Ndërsa, gjendja tek komunitetet pakicë sipas tij është më e rëndë, ku tha se 59 përqind e fëmijëve nuk kanë arritur t’i përcjellin mësimet, 7 përqind deri diku dhe 35 përqind kanë mundur t’i ndjekin mësimet rregullisht.

Mujku deklaroi se fëmijët kanë pasur vështirësi në dërgimin e detyrave tek mësimdhënësit në mungesë të pajisjeve të nevojshme për mbajtje të kontaktit me mësimdhënësit dhe shkollën.

Sipas tij, komuniteti romë, ashkali dhe egjiptas vazhdojnë të mbesin në shkallë të ulët të vijimit të mësimit edhe gjatë periudhës së pandemisë.

Shuma e asistencës sociale, Mujku tha se është  e pamjaftueshme për përmbushjen e minimumit ekzistencial për familjet në skemën e asistencës sociale.

“Të ngritët shuma e asistencës sociale në masën e përmbushjes së nevojave elementare për familjet në gjendje të nevojës sociale, pra të bëhet një rishikim dhe të ngritët kjo shumë, sepse më të vërtetë e dimë që shuma është jashtëzakonisht e vogël. Të organizohet mësimi plotësues për të gjithë fëmijët të cilët nuk kanë arritur t’i ndjekin mësimet, me theks të veçantë për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas, të cilët më të vërtetë kanë mbetur shumë mbrapa”, tha ai.


Mujku tha se institucionet duhet të sigurojnë qasje në internet për familjet në asistencë sociale, në mënyrë që edhe fëmijët të jenë në hap me bashkëmoshatarët e tyre.

“Të merren masa ligjore për prindërit të cilët u pamundësojnë fëmijëve të tyre ndjekjen e mësimit dhe angazhimit të tyre në punë të ndryshme dhe të rrezikshme. Gjatë raportit ka rezultuar se ka pasur familje të cilat kanë shkuar në shkollë deri në klasë të dytë dhe të tretë dhe po i marr me vete se po mbledhim mbeturina ose po punojmë diçka, sepse nuk ka kurrgjë prej shkollës. Kështu që, për ato familje duhet më të vërtetë me i marrë masat adekuate. Duhet të merren mase për trajnimin e mësimdhënësve për punën me teknologjinë informative dhe organizimin e mësimit online dhe grupore si kusht i praktikumit të kësaj metodologjie në të ardhmen… Një përkushtim rreth përkrahjes më të madhe për personat me aftësi të kufizuara dhe prindërve vetushqyes, për shkak se për fëmijët me aftësi të kufizuara definitivisht nuk ka pasur asnjë program të organizuar gjatë kësaj periudhe të pandemisë”, tha ai.

Kurse, Besa Luzha, nga Friedrich Ebert Stiftung, tha se në shënimin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, kanë dashur që të ngritin zërin tek institucionet që t’iu mundësojnë jetë të dinjitetshme të gjithë fëmijëve.

“Të gjithë këta fëmijë dhe këto familje nuk duhet të shihen si barrë as për institucionet, as për qytetarët, por si një grup të cilin ne duhet të gjejmë mekanizma, politika, masa edhe mundësi që t’i ndihmojmë të tejkalojnë, të dalin nga ai nivel i pabarabartë që janë. T’iu ofrojmë edhe atyre mundësi të barabarta edhe për shkollim, edhe për punësim dhe për një jetë të dinjitetshme çfarë e meritojnë të gjithë qytetarët pa dallim etnike, race, gjinie”, tha ajo.

Ndërkaq, Avokati i Popullit Hilmi Jashari, tha se është koha e fundit kur duhet të jetësohet ligji për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve.

“Korriku tani më kur ka mbetur më pak se një muaj pothuajse, është momenti kur ligji për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve do të duhej të jetësohej dhe të merrte frymë ky ligj. Në një mënyrë të jetë mekanizmi kryesor që garanton një kujdes të shtuar detyrimor për fëmijët në vend”, tha ai.

Ai ngriti si shqetësim edhe qasjen e fëmijëve në internet, ku tha se Kosova nuk ka një mekanizëm që mbikëqyr qasjen e fëmijëve në internet dhe se ata mund të jenë cak i abuzimeve.

Hulumtimi “Qasja në mësimin online dhe kushtet e jetesës për familjet përfituese të skemës së asistencës sociale gjatë Covid-19”, është realizuar Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale dhe është përkrahur nga Friedrich Ebert Stiftung.

Lexo edhe

1 Comment

Comments are closed.

error: