Fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së nëpërmjet protestës kanë kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në përvjetorin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ata thënë se Kurti e bëri hero Ivanoviqin dhe për këtë duhet të kërkoi fjale dhe të jap dorëheqje.
Protesta nisi në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar pranë Qeverisë ku edhe janë vendosur pankartat “Kryeministër mos ofendo, mos devijo!”, “Kryeministër, mos i glorifiko kriminelet”, “Kryeministër kurrë s’i dhe asgjë Kosovës, dorëhiqu”, Më mirë veç Albin e me nder se sa kryeministër e tradhtar”.
Berat Beqiri, organizator i kësaj proteste tha se deklaratat e pamatura dhe të rrezikshme politike, si dhe ofendimet e tilla si ky që bëri Albin Kurti do të pasohen me kundërshtimin e tyre si familjarë të dëshmorëve.
“Përmes kësaj proteste duam të tregojmë që ka ardhur koha për t’u distancuar dhe për t’i ndërgjegjësuar të gjithë përfaqësuesit politikë, pa përjashtim pozitë ose opozitë, për më shumë kujdes, maturi dhe përgjegjësi ndaj historisë, të tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë. Dhe për t’iu thënë se deklaratat e pamatura dhe të rrezikshme politike, ofendimet e tilla si ky që bëri Albin Kurti do të pasohen me kundërshtimin tonë dhe me kërkesën tonë për dorëheqje“, tha ai.
Ndërsa, Edona Gashi gjatë protestës parashtroi disa pyetje për kryeministrin Kurti.
“Kryeministër po të pyes si një fëmijë e cila për 24 vite që nuk e kam thirrur emrin babë, çka po të pengon lufta e UÇK’së dhe gjaku i heronjve tanë? Kryeministër a të vjen turp që një kriminel lufte e quajtët hero, dhe gjakun e dëshmorëve e shkelët? Kryeministër a të vjen turp të dalësh para këtyre fëmijëve? Kryeministër a të vjen turp t’i dalësh përpara familjeve të të zhdukurve dhe të pagjeturve? Por kryeministër a të vjen turp për atë deklaratë tënden ndaj Oliver Ivanoviqit? Andaj, në emrin tim dhe të fëmijëve të dëshmorëve kërko falje, mos na shkel edhe me shumë në kujtimet tona për prindërit tanë, të cilët i lanë tokat tona me gjakun e tyre, vetëm e vetëm që ne ta përjetojmë lirinë”, tha Gashi.
Tefik Sejdiu nga Mitrovica, i cili tregoi se i ka tre anëtarë të familjes të vrarë nga Oliver Ivanoviq, tha se kryeministri Kurti, duhet të kërkojë falje për deklaratën e thënë për Ivanoviqin.
“Kryeministër, unë jam dëshmitari kryesor kundër Oliver Ivanoviqit, ti që e ke shpall hero, duhet të të vijë marre. Kryeministër kërko falje. Tre anëtarë të familjes të masakruar dhe 28 tjerë, turp të kesh”, tha Sejdiu.
Edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimite Musliu e ka përkrahur nga afër protestën. Ajo tha se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, Albin Kurti ishin të drejta.
“Kërkesat e protestuesve ishin të drejta, ishin fëmijë të dëshmorëve ata që mbajtën fjalim dhe ata e kanë ndjeh dhimbjen e humbjeve të tyre të mëdha, sepse humbjet e luftës kanë qenë në dimensione të ndryshme. Humbjet materiale edhe kompensohen por humbjet shpirtërore dhe familjare, siç kanë ndodhur në luftën e fundit, janë të parikuperueshme. Andaj, si politikanë është mirë të jemi të kujdesshëm dhe të matshëm në deklaratat tona, që të paktën nëse nuk mund t’i trajtojmë me dinjitet këto kategori, mos t’i lëndojmë. Vet fakti që glorifikohet, Oliver Ivanoviqi, në atë formë me një eksra video nga kryeministri, tregon për katandisjen e kësaj qeverie. E mbështes fuqishëm thirrjen e protestuesve sot, thirrjen e fëmijëve të dëshmorëve, që kryeministri tashmë është vonë me kërkim falje, ai për një deklaratë të tillë do duhej të dorëhiqet”, tha Musliu.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, tha se një kryeministër që bënë deklarata si ajo e Kurti, duhet të japin dorëheqje nga pozita.
“Dëgjova se kërkuan nga kryeministri që të kërkojë falje ose të jap edhe dorëheqje, por edhe ne si organizata të dalura nga lufta, mendojmë se duhet të kërkojë falje ose nuk ka nevojë që të mbetet në pozicionin e kryeministrit, derisa bënë këso deklarata”, tha Klinaku.
Qytetari Sadik Gagjiqi po ashtu tha se kryeministri i Kosovës është në ëndërr.
“Deklarata e Albin Kurtit, nuk e di se qysh ma keq që ka thënë për shqiptarë, nuk e di a është në tokë të bukës, për çfarë mendon për këtë shtet të Kosovës e shqiptarët. Nuk jam kundër askujt, por Albin Kurti është ëndërr, do i bijë në mend, por do të jetë vonë”, tha Gagjiqi.
Protesta përfundoi me vendosjen e pankartave afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.