Fejza: Për LVV-në është e pranueshme cila do datë për mbajtjen e zgjedhjeve
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza tha se do e pranojnë çfarëdo date për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Ajo u shpreh se rezultati i zgjedhjeve dihet, ndërkohë që nuk e konfirmoi nëse propozimi i LVV-së është 2 shkurti.
Para mediave ajo theksoi se që nga fillimi i mandatit të partisë në pushtet, opozita ka kërkuar që të mbahen zgjedhjet.
“Që prej kur ka filluar mandati i qeverisjes së Vetëvendosjes, opozita ka qenë vazhdimisht jashtëzakonisht kërkuese që të mbahen zgjedhjet. Madje ju keni qenë dëshmitarë të shumë proceseve në Kuvendin e Kosovës, të cilat janë zvarritur me kërkesën e opozitës që të shkojmë në zgjedhje. Tash kur po i afrohemi vërtetë zgjedhjeve, opozita si duket është bërë më racionale dhe po flet për datë konkretisht. Ne e kemi thënë vazhdimisht që ne kemi qenë të gatshëm për zgjedhje dhe sidomos tani që jemi në gjashtë mujorin e fundit të qeverisjes, neve data e përcaktuar kështu nuk është shumë e rëndësishme, sa është e rëndësishme gatishmëria për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo i mbetet pastaj presidentes për ta caktuar. Ne kemi dërguar normalisht propozimin tonë, vendimi përfundimtar sigurisht që i takon presidentes”, deklaroi ajo.
Deputetja Fejza tha se Vetëvendosja e ka dërguar një propozim tek presidentja dhe se është e pranueshme cila do datë që caktohet për mbajtjen e zgjedhjeve.