Federata Evropiane e Xhudos me artikull të veçantë për Driton Kukën

Federata Evropiane e Xhudos me artikull të veçantë për Driton Kukën

Trajneri kosovar Driton Kuka vazhdon të korrë suksese me ekipin e tij të xhudos, ku tani për këtë gjë, Federata Evropiane e Xhudos (EJU) i ka kushtuar një artikull atij.

Në vitin 2021 ai pranoi dy çmime personale për të arriturat e tij, ku fillimisht ishte shpallur nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) si trajneri më i mirë i vitit 2021, kurse nga “EJU” ishte shpallur trajneri më i mirë evropian për femra, përcjell KosovaPress.

“Mendoj se edhe para Olimpiadës në Tokio, ai tregoi se është një trajner i madh, sepse arriti të bëjë kampionë bote, kampionë evropianë dhe tashmë një medalje të artë nga Olimpiada, vetëm nga një vend i vogël, më mirë të them nga një klub i vogël. Por sigurisht që marrja e dy medaljeve të arta nga Lojërat Olimpike dëshmon edhe më shumë se ai është trajneri më i mirë dhe e meriton vërtet këtë çmim”, ishin fjalët e Majlinda Kelmendit dikur për Kukën.

Tani, Kuka ka lënë mbresa të mira edhe te Federata Evropiane e Xhudos, ku kjo e fundit e cilësoi si një trajner të afirmuar të xhudos.

Artikullin e plotë të (EJU) e gjeni më poshtë.


“Driton Kuka është tashmë një trajner i afirmuar i xhudos dhe ka marrë shumë vlerësime për arritjet e tij me ekipin e Kosovës.

Në vitin 2021, Kuka u shpërblye nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF), me çmimin e trajnerit më të mirë, pas dy medaljeve të arta në Olimpiadën e Tokios.

Ndërkaq, gjatë Kampionatit Evropian “Sofje 2022”, Kosova fitoi një medalje të argjendtë dhe një të bronztë, ku Kuka u nderua me çmimin e trajnerit më të mirë femrave për vitin 2021, përcjell KosovaPress.

Ai përmendi se edhe pse kjo është për femrat, shpreson që në të ardhmen të jetë edhe për arritjet dhe përpjekjet e ekipit të meshkujve.

Me të në Sofje ishin edhe ministrat e qeverisë nga Kosova, një mundësi e përkryer për ata që janë përfshirë në projektin qeveritar “Kosovo Judo Nation”, për të parë saktësisht se sa e rëndësishme është kjo punë.

“EJU” pati fatin të punojë ngushtë me Kukën si dhe me tre kampionet olimpike; Majlinda KELMENDI (2016), Distria KRASNIQI (2021) dhe Nora GJAKOVA (2021) pas Lojërave Olimpike në Tokio”, ishte artikulli i Federatës Evropiane të Xhudos për trajnerin Driton Kuka.

Lexo edhe

Video