"Takimi i radhës do të jetë në Hagë", flet djali i Fadil Fazliut
Lajme
Lexohet për: 2 min.
fazlia-061224
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu janë dërguar për në Hagë nga zyrat e EULEX-it në Kosovë. Aty janë mbajtur nga dita e djeshme kur edhe janë arrestuar.

I biri i Fadil Fazliut, Fahriu, tha para gazetarëve se nuk ka mundur ta takojë babain e tij mbrëmë e as sot, pavarësisht përpjekjeve.

“Kërkoj lirimin sa me të shpejtë për të gjithë çlirimtarët e Kosovës…Unë isha dje dy herë, dy herë sot, nuk munda asnjëherë ta takoj. Po mendoj që tash e pash nga larg dhe të paktën me dorë ia bëra deri në vizitën e ardhshme, që do jetë besoj në Hagë”, tha Fazliu.

Ai tha se tani do të informohen nga avokati për procedurat që i presin në vazhdim.

“Mendoj që e pash në veturë babain tim, dhe me dorë ia bëra. Mu duk që ishte ai dhe po vazhdonte drejt Hagës ku ata po thonë që po e dërgojnë. Tash po presim të kontaktojnë edhe me avokatin të kuptojmë se si po shkojnë procedurat”, tha Fazliu.

Transferimi i tyre për në qytetin holandez - atje ku e ka selinë Gjykata Speciale dhe qendra e paraburgimit, po bëhet pasi ata janë arrestuar të enjten gjatë një operacioni të Speciales në Kosovë.

Pa dhënë detaje, Prokuroria e Hagës ka thënë të enjten se operacioni ka të bëjë me vepra kundër administrimit të drejtësisë.

Operacioni i Speciales është kritikuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së duke thënë se ish-pjesëtarët e UÇK-së nuk kanë ndërhyrë në procese të drejtësisë.

Sipas OVL-UÇK-së, këto veprime të Gjykatës Speciale vinë pas e njëjta nuk ka prova të mjaftueshme.

Kjo organizatë ka thënë të enjten se Specialja po bën spektakël me arrestime të tilla.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025