Familja e ish-zyrtarit të Doganës i reagon Sveçlës, kërkon që të mos bëhen cilësime të rastit

Familja e ish-zyrtarit të Doganës i reagon Sveçlës, kërkon që të mos bëhen cilësime të rastit

Ndaj deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla lidhur me vdekjen e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha i cili u gjet pa shenja jete në oborrin e Doganës në prill të këtij viti, ka reaguar familja e të ndjerit.

Familja e Berishës nëpërmjet një reagimi për medie e kanë cilësuar të dëmshme e joprofesionale deklaratën e ministrit Sveçla, që të hënën u dëgjua të thotë “vetëvrasje” pak minuta pasi e motra e Berishës u kërkoi krerëve të shtetit zbardhjen e rastit.

Në reagim thuhet se deklarime si kjo veçse e komplikojnë dhe vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pandikuar.

“Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar , veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të  një vepre. Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Nga: Familja Berisha (familja e të ndjerit Luan Berisha, Toger në Doganat e Kosovës)

Reagim nga avokati dhe Familja Berisha me rastin e deklarimit të Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla


Lidhur me deklarimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sfeqla, të regjistruar në edicionin e lajmeve në “Klan Kosova”, më 8 nëntor 2021.

Pasi që motra e të ndjerit Luan Berisha kërkoi nga qeveritarët informacione për vrasjen e vëllait, Ministri Xhelal Sveçla, vetëm pasi ajo u largua i dha sqarim Kryeministrit Kurti duke i thënë se “Luan Berisha u vetëvra”.

Unë si avokat por edhe familja e të ndjerit Luan Berisha një deklarim të tillë e vlerësojmë të pa matur të dëmshëm dhe joprofesional.

Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetëror e në veçanti të Ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre.

Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar , veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të  një vepre. Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit. 

Si përfaqësues i familjes ftoj të gjithë, pa dallim, që të përmbahen nga deklarimet lidhur me rastet të cilat janë në fazën e hetimeve për shkak të ndjeshmërisë qe këto raste kanë dhe për shkak të dëmit që mund t’i shkaktojnë familjarëve.

Po ashtu, ftojmë Prokurorin e Shtetit që të reagoj ndaj një deklarate të tillë dhe të mos lejoj që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetëror apo cilitdo person tjetër.

Mr.Sc Flakron Sylejmani

Lexo edhe

Video

error: