Evidentohet keqtrajtim i të dënuarve dhe shkelje të të drejtave të tyre

Evidentohet keqtrajtim i të dënuarve dhe shkelje të të drejtave të tyre

Ka pasur raste të keqtrajtimeve të të dënuarve nga stafi korrektues dhe shkelje të të drejtave të tyre. Ndërsa, niveli i raportimit dhe hetimi i rasteve të keqtrajtimit të të dënuarve nga ana e stafit korrektues nuk është i kënaqshëm.

Kështu është thënë sot në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut gjatë publikimit të raportit vjetor nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës(QKRMT).

Drejtoresha e QKMRT-së Feride Rushiti tha se për shkak të situatës specifike me pandeminë aktuale, qasja, komunikimi me të dënuar si dhe i gjithë procesi i monitorimit dhe vlerësimit ishte më sfidues për QKRMT sikurse edhe për mekanizma të tjerë monitorues.

Në këtë raport thuhet numri më i madh i ankesave është shënuar ndaj Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) në rastet e kërkesave për transfer, ku ShKK nuk u përgjigjet të dënuarve, ndërsa është raportuar për raste të korrupsionit dhe nepotizmit kryesisht në QK në Dubravë. Më tej në raport thuhet se të dënuarit kanë ankesa të shumta ndaj punës së Panelit për Lirim me Kusht.

Drejtoresha Rushiti tha se sfida kryesore mbetet numri i lartë i të dënuarve përdorues të substancave narkotike si dhe numri i lartë i vetëlëndimeve. Derisa të paraburgosurit me çrregullime mendore ende mbahen nëpër institucionet korrektuese, ku nuk ka kushte të përshtatshme për trajtimin e tyre.

“QKRMT ka pranuar disa ankesa për keqtrajtim nga të dënuarit nëpër disa institucione korrektuese, megjithatë këto ankesa nuk janë dukuri sistematike, por janë të izoluara. Ka dyshim se rastet ekzistojnë, mbase kanë ekzistuar edhe në të ardhmen, por nuk janë dukuri sistematike dhe të shpërndara në gjithë sistemin[…]Trajtimi i ankesave dhe kërkesave brenda për brenda institucionit vazhdon të jetë ende një shqetësim për ne, për faktin se të burgosurit ende paraqesin shqetësime në raport me ankesat dhe zvarritjen e tyre për përgjigje në kohë”, tha Rushiti. 


Ndërsa, drejtoresha për parandalimin e torturës në Institucionin e Avokatit të Popullit, Shqipe Malaj-Ibraj theksoi me këtë rast se nga 53 vizita që janë bërë në vendet e privimit nga liria, Mekanizmi Kombëtar nuk pranoj nga të burgosurit ankesa kredibile për keqtrajtim fizik apo trajtim degradues ose poshtërues.

“Mekanizmi Kombëtar nuk pranoj nga të burgosurit ankesa kredibile për keqtrajtim fizik apo trajtim degradues ose poshtërues. Shumica e ankesave të parashtruara I referoheshin lirimit nga vuajtja e mëtejme e dënimit me burgim për shkak të pandemisë kundër panelit për lirim me kusht dhe vendimeve të gjykatave kompetente lidhur me kërkesat për pezullim të vuajtjes së mëtejme të dënimit”, tha ajo.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala pohoi se menjëherë pas shpërthimit të pandemisë, të shkaktuar nga Covid-19, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria janë përqendruar më tepër për mbrojtjen e jetës së personave të privuar nga liria.

Megjithatë, Shala ka kërkuar nga Paneli për lirimin me kushte të shton efikasitet e tij, sikurse vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Kushtet fizike nëpër burgje, meqë tash një kohë të gjatë nuk kemi prani aty për shkak të kufizimeve që janë të natyrshme që janë bërë në gjitha vendet e botës, mirëpo edhe para shpërthimit të pandemisë nuk kanë qenë kushtet fizike aq të këqija. Është evituar mbi popullimi, madje Kosova sipas vlerësimeve të KMDLN-së ka kapacitete edhe për paraburgim edhe për mbajtje të dënimit sesa që ka nevojë. Pra, Kosova po shndërrohet në një vend të burgjeve[…]Të ketë efikasitet edhe më shumë nga Panelit për lirimin me kusht, sepse është i vetmi mekanizëm i cili mund t’i liroj të burgosurit menjëherë, ndërsa asnjë mekanizëm tjetër nuk ka të drejtë të fal apo t’i lirojë një numër të madh të të burgosurve”, tha Shala.

Drejtohesha e QKMRT-së ka thënë se është iniciuar Ligji për ShKK i cili mund të rregullojë shumë aspekte të këtij Shërbimi, ndërsa ka ngecur në proces plotësim-ndryshimi i Ligjit për Sanksione Penale. Po ashtu, sipas saj shumë nga udhëzimet administrative që burojnë nga ky Ligj nuk janë nxjerrë ose nuk janë të harmonizuara me njëra tjetrën.

Rushiti ka rekomanduar që institucionet kompetente të ndërmarrin iniciativa për ndryshime ligjore për lehtësimin e jetës së të dënuarve në rrethanat e pandemisë COVID-19. Po ashtu Këshillit Gjyqësor i bëhet thirrje për lirim më të madh të të dënuarve me kusht.

Lexo edhe

Video