Eshtrat e martirit Vegim Qerkezi prej sot pushojnë në Gjakovë

Eshtrat e martirit Vegim Qerkezi prej sot pushojnë në Gjakovë

Trupi i Vegim Kasim Qerkezi, i rrëmbyer nga forcat serbe në marsin e vitit 1999 i cili u identifikua ditë më parë e që për 21 vite ishte i varrosur në fshatin Dodaj të Kukësit nga sot do pushojë në varrezat e dëshmorëve në Çabrat të Gjakovës.

Ceremonia e rivarrimit fillimisht nisi me homazhe tek arkivoli me trupin e pajetë të Vegimit, ku të pranishëm ishin një numër i madh i familjarëve, miqve e qytetarëve nga gjithë vendi si dhe zyrtarëve institucionalë.

Mes emocionesh e lotësh, Vegim që u rrëmbye kur ishte vetëm 18-vjeç, u kujtua dhe nderua edhe përmes akademisë përkujtimorë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi tha se ditët si kjo e sotmja na përkujtojnë se si qeveri duhet të angazhohen në dy drejtime që të ushtrojnë presion mbi palën serbe për të dhënë informacione për pjesën tjetër të të pagjeturve dhe gjykimin dhe dënimin e atyre që kanë kryer këto krime.

Dushi tha se nuk mund të arrihet marrëveshje paqësore me Serbinë pa u gjetur të gjithë trupat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Do të angazhohemi për të zbardhur fatin edhe të personave të tjerë, familjet e të cilëve sigurisht presin me dhimbje dhe vuajtje të madhe. Nuk mund të diskutohet në asnjë rast për çfarëdo marrëveshje dhe nuk mund të diskutohet për paqe të qëndrueshme pa zbardhjen e të gjitha rasteve dhe pa kthimin e më të dashurve tanë nga atje, duke i marrë në format më barbare i kanë dërguar dhe nuk japin informata më tutje… të vazhdojmë këtë betejë e cila nuk është e lehtë aspak dhe të bëhemi bashkë për zbardhjen dhe gjykimin e këtyre rasteve”, tha ai.

Kurse, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini derisa e kujtoi Vegimin tha se dhimbjet e shkaktuara ndaj popullit shqiptar nuk ishin të paqëllimta.


Gjini tha se populli shqiptar ka arritur që dhimbjen e humbjes të më të dashurve të tyre e kanë kthyer në forcë për të gjithë.

“Nuk dinë njerëzit a duhet vajtuar që 21 vite pas ekzekutimit e rivarrosim në atë kohë një djalë të ri i cili sot kanë qenë dashur të jetë 49-vjeçar. Në këtë pjesë e kam edhe pjesën time personale ka qenë në shtëpi tek unë disa herë por fatkeqësisht duhet me i rihap plagët e luftës, plagë jashtëzakonisht të thella që për shumicën e atyre që i kanë humbur më të dashurit nuk mbyllen kurrë”, tha ai.

E meqenëse dhimbja për familjen Qerkezi ishte e madhe, fjalët dhe kujtimin për birin e tyre i vendosën në një letër e cila u lexua nga Arta Stavileci.

Nën tingujt e violinës, prindërit e martirit Vegim Qerkezi, përmes këtyre vargjeve treguan se për 21 vite djalin e tyre priten që do kthehej i gjallë.

“Për ty biri ynë Vegim ky libër hapi faqet dhe çdo rresht qe e lexojmë në të na përkujton kohën e rinisë që në moshën 18 vjeçare u shua për lirinë që sot e gëzojmë. Dhimbja, malli, shpresa nuk u shuan për 21 vite më radhë. Kur i kujtuam vitet e pafajshme që ku dora gjakatare të rrëmbeu dhe na la plagë në zemër, na la me sy të hapur kah dera dhe me mendje se një ditë do hapet kjo derë dhe atje para do shfaqesh ti me ata sy të kaltër si deti me flokë të verdha i gjatë i bukur”, thuhej në letër.

Pas akademisë përkujtimorë me ceremoni fetare u varros trupi i pajetë i Vegim Kasim Qerkezit i cili ishte i zhdukur nga marsi i vitit 1999. Ai bashkë me djemtë e axhës së tij dhe vetë axhën që janë bijtë dhe burri i nënë Ferdonije Qerkezit dhe disa familjarë të tjerë ishin rrëmbyer nga forcat serbe.

Lexo edhe

Video

error: