Është në rrezik mbarëvajtja gjithnjerëzore

Është në rrezik mbarëvajtja gjithnjerëzore

NGA: GJOKË DABAJ, DILAVER GOXHAJ, HAMDI HYSUKA

Duhet t’i themi Qeverisë “Kurti”, që jemi përkrah saj dhe përkrah kryetares së Parlamentit

Ne, si udhëheqje e tanishme e “Përkujdesjes Gjithshqiptare”, nuk i kemi as atributin dhe as mundësinë për të organizuar veprime në shkallë më të gjërë. Por, një mendim apo opcion veprimi mund ta shprehim, si në emër të kësaj “Përkujdesjeje Gjithshqiptare”, ashtu edhe në emër të përkrahësvet të dy rezolutavet tona, publikuar në mediat shqiptare para disa ditësh.

Mbledhjen që e organizoi Hashim Thaçi më 22 prill 2020 me krerët e disa subjekteve politikë të Republikës së Kosovës, e konsiderojmë goditje me thikë në gjoksin e kombit shqiptar. Nuk është problemi këtu, as i një Qeverie “Kurti”, as i Albin Kurtit si individ dhe si përfaqësues i një force politike dhe as i Vjosë Osmanit si Kryetare e Parlamentit apo thjeshtë si një vajzë që e ka kuptuar ku po e çojnë kombin tonë këto politika tejet shkurtpamëse. Nuk është madje as problemi vetëm i Republikës së Kosovës. Problemi është, së pari, i krejt kombit shqiptar e mbas tij edhe i popujvet të tjerë.

Ç’do të bëhet, nëse e merr pushtetin një qeveri e atillë, siç po e sajon Hashim Thaçi?! Veprimi i parë i asaj qeverie do të jetë copëtimi i Republikës së Kosovës deri në pavlefshmerinë e saj si shtet.

Të gjitha janë paramenduar të bëhen në mënyrë tinëzare, sikur gjoja “po duam të merremi vesh me Sërbinë”, sikur gjoja “po duam t’ia bashkojmë Republikës së Kosovës edhe Luginën e Preshevës” dhe sikur “edhe sërbët kanë të drejtën e tyre për t’u qeverisur vetë në shtetin që s’është vetëm i shqiptarëvet, por edhe i kombevet të tjerë”.

Duke prurë në krye të Republikës së Kosovës njerëz të atillë si Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e të tjerë si ata, jo vetëm që nuk do të rregullohen punët në Republikën e Kosovës, por do të shkaktohet një çorientim i vështirëpërfytyrueshëm edhe në Republikën e Shqipërisë, edhe në Republikën e Maqedonisë Veriore dhe kudo ku ka shqiptarë.


Çorientimi në kombin tonë dhe destabilizimi, që forcat e errëta dhe njëkohësisht të verbëta, synojnë ta krijojnë këtu, në mënyrë fatalisht të pandalshme do të arrijë të përhapet në krejt Evropën dhe, në atë mënyrë, krejt bota ka rrezik të përfshihet pandalshëm në një luftë të lemerishme gjithnjerëzore.

Të dyja luftërat botërore kanë filluar në gadishullin tonë. Lufta e Parë Botërore, me Atentatin e Sarajevës dhe Lufta e Dytë Botërore, me pushtimin e Mbretërisë Shqiptare nga Italia Fashiste dhe me pushtimin e Mbretërisë sërbo-kroato-sllovene nga Gjermania naziste.

Si është e mundur që politikanët e sotëm, evropianë edhe botërorë, jo ata që duan luftë (duke shpresuar se do të dalin fitues), por ata që duan ta largojnë luftën, të mos e shohin që pikërisht këtu, në një shtet shqiptar, të cilin ende nuk e kanë njohur të gjithë shtetet, po përgatitet të ndizet i njëjti zjarr i madh?! Si është e mundur të mos e shohin këtë rrëzik eminent mijëra analistët e politikavet të sotme lokale e botërore?!

Përfundimisht, gjendur përballë një të këtillë skenari, autorëvet të të cilit jo vetëm që s’po u dhimben shqiptarët, por s’po pyesin as për fatin e kombevet të tyre, çfarë mund të bëjmë ne shqiptarët?

Puna e parë e jona është që ta sqarojmë veten. Jo për të vënë kujen, por për të vepruar me mençurinë dhe me gjakftohtësinë e një kombi, të cilin asnjë mynxyrë gjithsesi nuk ka mundur ta shfarosë. Duhet t’i themi Qeverisë “Kurti”, që jemi përkrah saj dhe përkrah kryetares së Parlamentit, në këto ditë të vështira, jo për hatër, as të Albinit, as të Vjosës, por për të mirën e kombit tonë, për ta shpëtuar këtë komb nga gremina ku po duan ta rrokullisin.

Duhet t’u themi edhe politikanëvet aventurierë të Sërbisë se, mbasi të përfundojë kjo luftë, që po e përgatisin ata bashkë me miqtë e tyre, nuk do të ketë më, jo Jugosllavira, siç ndodhi mbas dy luftëravet të mëparshme, por as Sërbia nuk do të ekzistojë më. Sepse lufta që po e përgatisin ata, nuk do të bëhet këtë herë, as me topa, as me katjusha.

Presim udhëzimet e zotit A. Kurti dhe të zonjës V. Osmani, çfarë duhet të bëjmë, bashkë me të gjithë shqiptarët e tjerë, edhe ne nënshkruesit dhe përkrahësit e dy rezolutavet të publikuara.

Jemi gjithmonë në përkrahje dhe pjesë e çdo veprimi që do të sugjerojë pjesa më e vetëdijshme e kombit tonë, por edhe e miqvet tanë që nuk janë të pakët në botë.

Lexo edhe

Video

error: