Escobar: Rezultate do të kemi, por ndoshta nuk do të kemi marrëveshje finale

Escobar: Rezultate do të kemi, por ndoshta nuk do të kemi marrëveshje finale

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para takimit të 18 marsit në Ohër ka thënë se të dy palët janë pajtuar me Marrëveshjen Bazë – ato 11 pikët fillestare që janë pranuar, pa ndonjë kusht apo ndryshim dhe tani është çështja e Aneksit të zbatimit. Pra, të gjitha pikët do të përfshihen në Aneksin e zbatimit, por vetëm mbetet se si t’i formulojmë që të bëhen të arritshme.

Escobar për RTV21 ka thënë se rezultate do të ketë, por se ka tërhequr vërejtjen se ndoshta nuk do të ketë marrëveshje finale.


“Kushdo që e shikon këtë marrëveshje, nuk mund të mos befasohet se sa larg shkon ajo. Sa shumë i hap dyert për të dy vendet që të integrohen më afër në strukturat euroatlantike dhe rrjedhimisht në strukturat ndërkombëtare. Pra, nuk do të them se kjo nuk është një ndërmarrje ambicioze. Kjo është mjaft ambicioze. Kjo do t’i sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër njëra-tjetrës, më afër rajonit dhe më afër Evropës. Pra, është mjaft e rëndësishme në shumë aspekte. Pra, kjo nuk është ujdia më e mirë, kjo është ujdi shumë e mirë.

Escobar ka theksuar se, gjëja më e rëndësishme që shpreson është se qeveria e Kosovës do ta pranojë detyrimin e saj ligjor për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Një gjë që e përmenda me evropianët tani që Kosova e ka liberalizimin e vizave është p.sh. mundësia për të hapur kufijtë ndërmjet Evropës dhe Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për të gjitha vendet e rajonit, që të shfrytëzohet liberalizimi, të shfrytëzohet marrëveshja e nënshkruar në Berlin për lirinë e lëvizjes ashtu që qytetarët e këtij vendi dhe të Serbisë e të rajonit do të mund të përdornin linjat evropiane për të hyrë e dalë nga rajoni; do të mund të përdorni pasaportat tuaja për të kaluar përmes linjave evropiane për pasaportë në Evropë; për të pasur mundësi për t’i kryer ato punë administrative që normalisht do të duhej t’i kryejnë në Evropë – do të mund t’i kryeni këtu dhe të jenë në përputhje me sistemet evropiane. Këtë po e kërkojmë. Këto dyer hapen me këtë marrëveshje. Sa i përket çka ndodh nëse nuk ka marrëveshje: evropianët kanë sinjalizuar se kjo është rruga e tyre e preferuar për integrim evropian dhe ne e mbështesim plotësisht. Është plan i menduar mirë; është marrëveshje e arsyeshme dhe ka mbështetjen e plotë, jo vetëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe të Shteteve të Bashkuara. Ka mbështetjen e plotë dhe nuk do të mund të paramendoja pse dikush do t’ia kthente shpinën një mundësie të tillë të jashtëzakonshme” ka thënë Escobar./ 21Media

Lexo edhe

Video