Escobar: Pa zgjidhje për Asociacionin do të ketë cikël të vazhdueshëm krize
Lexohet për: 3 min.
1.-Gabriel-Escobar-2022-10
2 vite më parë
Linku u kopjua

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova e ka për obligim formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nëse nuk zgjidhet kjo çështje, do të ekzistojë një cikël i vazhdueshëm krize.

“Mendoj se Qeveria në Prishtinë duhet ta shohë këtë çështje si mundësi. Ekzistojnë modele në Evropë që sigurojnë të drejta për minoritetet. Dhe ato veçse janë në Bashkimin Evropian. Ekzistojnë mënyra për të krijuar mundësi për të dyja vendet”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një diskutim të organizuar nga Këshilli Atlantik – institut amerikan me seli në Uashington.

I pyetur nëse ekzistojnë afate për formim të Asociacionit, ai ka thënë se kjo çështje duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.

“Konflikti i ngrirë nuk i ndihmon askujt në rajon. Ky është konflikti i vetëm i tillë në Evropën Qendrore”.

Escobar ka thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë vetëm e ka shtuar fokusin e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor për të zgjidhur të gjitha mospajtimet ekzistuese.

Sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave, Escobar, ka thënë se ajo ka qenë e rëndësishme për uljen e tensioneve.

“Në vend të fokusimit në çështjet individuale që rrisin tensionet, palët duhet të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.

Ai ka thënë se SHBA-ja nuk do ta marrë drejtimin e dialogut, sepse e kaluara ka treguar që bashkëpunimi me BE-në, ka rezultuar i suksesshëm për të trajtuar disa çështje në të kaluarën.

Escobar ka konsideruar se Mali i Zi është në krizë të thellë kushtetuese, andaj duhet mbajtur sa më shpejt zgjedhjet e reja.

Kur ka folur për Bosnje-Hercegovinën, ai ka thënë se SHBA-ja përkrah plotësisht rolin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Escobar ka thënë se problemi kryesor në Ballkan është korrupsioni dhe se autoritetet amerikane do të vazhdojnë sanksionimin e zyrtarëve në Ballkan që janë të përfshirë në të.

I pyetur për Ballkanin e Hapur, ai ka thënë se SHBA-ja mbështet çdo nismë që ndihmon në bashkëpunim ekonomik rajonal, por vetëm kur në ato nisma janë të anëtarësuara të gjashtë vendet dhe kur ato trajtohen në mënyrë të barabartë.

Escobar, po ashtu, e ka përshëndetur rikthimin e angazhimit në Procesin e Berlinit, dhe ka thënë se pret zbatimin e marrëveshjeve të arritura në takimin e fundit.

Marrëveshjet kanë të bëjnë me njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale./REL/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024