Marrëveshja për eksportin e grurit përmes Detit të Zi, që do të skadonte të dielën është zgjatur, njoftoi të shtunën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Si rezultat i negociatave tona me të dyja palët, ne kemi siguruar zgjatjen e periudhës së marrëveshjes që përfundon më 19 mars”, u shpreh Erdogan.
Erdogan falënderoi Rusinë, Ukrainën dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për përpjekjet e tyre për të zgjatur edhe një herë marrëveshjen.
“Kjo marrëveshje, e cila ka siguruar dërgimin e 25 milionë tonë drithë në tregjet botërore me më shumë se 800 anije deri më sot, është me rëndësi jetike për stabilitetin e furnizimit global të ushqimit”, shtoi ai.
Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov tha se marrëveshja “është zgjatur për 120 ditë”, shkruan Anadolu Agency, përcjell KosovaPress
Në korrikun e kaluar, Turqia, OKB, Rusia dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje në Stamboll për të rifilluar eksportet e grurit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat janë ndaluar pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.